Forcat amerikane në Lindjen e Mesme janë të gatshme të nisin operacione të reja ushtarake kundër Iranit, potencialisht në shkallë të gjerë, brenda 96 orësh nga marrja e një urdhri nga presidenti Donald Trump, raportoi CNN, duke cituar dy zyrtarë amerikanë.

Sipas burimeve, SHBA-ja tashmë ka dislokuar në rajon forca të mjaftueshme për të realizuar sulme të mundshme. Operacionet e reja mund të shkojnë përtej goditjeve të kufizuara ndaj radarëve dhe sistemeve të lëshimit të raketave, duke përfshirë edhe objektiva strategjike iraniane.
“Do të jetë një operacion i madh”, ka thënë një nga zyrtarët për CNN.
Megjithatë, zyrtarët theksojnë se Trumpi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Sipas burimeve të cituara nga televizioni amerikan, një operacion i tillë mund të ndodhë para fundit të vitit, me gjasë pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) dhe Pentagoni kanë hartuar një listë të gjerë objektivash të mundshëm, ku përfshihen infrastruktura energjetike, instalimet ushtarake dhe objektet bërthamore të Iranit.
Rreziku i kundërpërgjigjes iraniane
Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Irani dhe rebelët Huthi në Jemen po e marrin seriozisht mundësinë e rifillimit të sulmeve amerikane dhe izraelite.
Burimet paralajmërojnë se, në rast të një operacioni të ri, Teherani dhe Huthit mund të kundërpërgjigjen duke goditur personelin dhe objektet amerikane në rajon, si dhe objektiva të tjera potenciale.
Për shkak të rrezikut të përshkallëzimit, SHBA-ja pritet të vazhdojë të kufizojë praninë e personelit në disa prej ambasadave të saj në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, personeli ushtarak jo i domosdoshëm, i cili pritej të dërgohej në rajon në kuadër të rotacionit të trupave, është njoftuar se nuk do të dislokohet.
Presioni i Izraelit për sulme të reja
Sipas CNN-it, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka ushtruar presion ndaj administratës Trump për ndërmarrjen e sulmeve të reja kundër Iranit, por zyrtarët amerikanë i kanë kërkuar Izraelit të presë derisa të jenë të përgatitur për operacione të përbashkëta.
Një burim izraelit i cituar nga CNN ka thënë se Netanyahu kishte tentuar ta bindte Trumpin për një sulm të përbashkët para zgjedhjeve, por presidenti amerikan nuk kishte dhënë miratimin. Zyra e kryeministrit izraelit e ka cilësuar këtë raportim si “lajm të rremë”.
Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i ka mohuar si të pabazuara raportimet për një përplasje mes udhëheqjes politike dhe ushtarake lidhur me planet për Iranin.
Sipas burimeve të CNN-it, Izraeli për momentin i ka shtyrë planet për sulme të reja, ndërsa po përgatitet për mundësinë e një operacioni të përbashkët me SHBA-në në të ardhmen.
Ngushtica e Hormuzit, një tjetër pikë tensioni
Ndërkohë, admirali Brad Cooper, komandant i CENTCOM-it, ka vizituar Ngushticën e Hormuzit, ku forcat amerikane po vazhdojnë bllokadën ndaj porteve iraniane dhe po ndihmojnë lëvizjen e anijeve tregtare.
Pavarësisht rritjes së numrit të cisternave që kalojnë nëpër këtë korridor strategjik, çmimet e naftës mbeten të larta për shkak të shqetësimeve mbi sulmet e mundshme iraniane.
Sipas një zyrtari amerikan të cituar nga CNN, mungesa e përparimit diplomatik dhe paqëndrueshmëria në Ngushticën e Hormuzit mund të jenë ndër faktorët që ndikojnë në vendimin e Trumpit për të autorizuar një operacion ushtarak.
Megjithatë, deri më tani, nuk ka një vendim përfundimtar të konfirmuar nga presidenti amerikan për nisjen e sulmeve të reja ndaj Iranit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




