Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza ndaj tre personave të dyshuar si operativë të mbështetur nga Irani, të cilët dyshohet se kanë organizuar një seri sulmesh dhe komplotesh terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë.

Sipas autoriteteve amerikane, të dyshuarit së fundmi kanë organizuar një komplot terrorist pranë bazës ajrore RAF Fairford në Mbretërinë e Bashkuar, ku janë të stacionuara edhe forca ushtarake amerikane.
Në aktakuzën e bërë publike të martën përmenden shtetasi iranian Mohsen Mohajeri, shtetasi irakian Mohammad Ali al-Hassani dhe shtetasi me dy nënshtetësi iraniane dhe irakiane, Mohammad Baqer Saad Dawood al-Saadi.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, njëri prej të akuzuarve dyshohet se ka komunikuar me persona në Mbretërinë e Bashkuar nga një burg në Nju Jork, ku po pret gjykimin për akuza të tjera, ndërsa dy të tjerët dyshohet se kanë koordinuar veprimet nga Irani.
Autoritetet amerikane pretendojnë se treshja ka planifikuar sulme në disa vende evropiane, të cilat janë kryer në emër të një grupi të njohur si Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiya (HAYI).
Sipas DOJ-së, ky grup ka marrë përgjegjësinë për 18 sulme në Evropë gjatë pranverës së vitit 2026, shtatë prej të cilave kanë ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar. Sulmet përfshinin zjarrvënie, shpërthime dhe një sulm me thikë ndaj dy burrave hebrenj në Londër, të cilët për pak sa nuk humbën jetën.
Një nga rastet kryesore që përmendet në aktakuzë është incidenti pranë bazës ajrore RAF Fairford, ku më 27 shtator u raportua për tri furgonë të dyshimtë. Në automjete nuk u gjetën mjete shpërthyese, por u sekuestrua një sasi benzine.
Sipas hetimeve amerikane, al-Hassani dyshohet se kishte nisur përgatitjet që në muajin gusht, duke paguar persona në Mbretërinë e Bashkuar për të vëzhguar perimetrin e bazës dhe për të organizuar logjistikën e planit.
Ai dyshohet se kishte siguruar furgonë, fuçi me karburant dhe materiale të tjera që mund të përdoreshin për sulmin. Automjetet pretendohet se ishin kamufluar si pjesë e një biznesi për shpërndarjen e karburantit dhe furnizimin me pajisje për pishina.
Më 26 shtator, sipas aktakuzës, disa persona u udhëzuan t’i drejtonin tri furgonët në drejtim të bazës ajrore. Të paktën dy prej tyre u ndaluan nga kontrollet e sigurisë, ndërsa nuk arritën të vazhdonin në itinerarin e planifikuar.
Furgonët u vunë re në orët e para të 27 shtatorit nga një fermer lokal, i cili po kthehej në shtëpi pas një feste dhe njoftoi Policinë. Lidhur me këtë incident, në Mbretërinë e Bashkuar janë arrestuar shtatë persona.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se aktakuza me tetë pika dëshmon atë që ai e cilësoi si vendosmërinë e Iranit për të organizuar sulme terroriste në Evropë dhe SHBA.
Ai pretendoi se njëri prej të akuzuarve kishte dërguar mesazhe të koduara nga burgu, me qëllim koordinimin e akteve të ardhshme të dhunës.
Sipas Patel, të dyshuarit ishin të përfshirë në gati 20 sulme të planifikuara në mbështetje të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe milicisë irakiane Kataib Hezbollah, e cila mbështetet nga Teherani.
Ndërkohë, Irani ka mohuar çdo përfshirje në incidentin pranë bazës RAF Fairford.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





