Serwer: BE-ja u ndërgjegjësua për pabesitë e Vuçiqit, ai do t’ia vështirësojë punën Listës Studentore

Serwer: BE-ja u ndërgjegjësua për pabesitë e Vuçiqit, ai do t’ia vështirësojë punën Listës Studentore

Serwer: BE-ja u ndërgjegjësua për pabesitë e Vuçiqit, ai do t’ia vështirësojë punën Listës Studentore

Profesori amerikan Daniel Serwer nga Universiteti Johns Hopkins ka analizuar zhvillimet politike në Serbi, duke folur për humbjen e pushtetit nga Aleksandar Vuçiqi, fitoren e Listës Studentore dhe sfidat me të cilat do të përballet shumica e re parlamentare.

Sponsor 3M Express

Serwer vlerësoi se Vuçiqi e pranoi humbjen me dinjitet dhe pa vonesë, ndërsa theksoi se Lista Studentore do të ketë një avantazh të konsiderueshëm nëse arrin ta ruajë unitetin. Sipas tij, kjo listë mund të sigurojë 135 deri në 140 ulëse në Kuvendin e Serbisë, i cili ka gjithsej 250 deputetë.

Në analizën e publikuar në faqen e tij, Serwer shkroi se zgjedhjet presidenciale janë caktuar për 26 dhjetor, për ta zëvendësuar Vuçiqin, të cilit i ka përfunduar mandati dhe që kishte dhënë dorëheqje me shpresën për t’u rikthyer në postin e kryeministrit.

Duke folur për politikën e jashtme të Vuçiqit, profesori amerikan tha se ai fillimisht ishte paraqitur si proevropian, por më vonë kishte forcuar lidhjet me Moskën dhe Pekinin, ndërsa vazhdonte të mbante në pritje Washingtonin dhe Brukselin me premtime për litium dhe municione për Ukrainën.

Sipas Serwerit, Vuçiqi e riarmatosi Serbinë me kosto të mëdha dhe u përpoq ta minonte shtetësinë e Kosovës, ndërkohë që publikisht pretendonte se po negocionte për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai gjithashtu vlerësoi se gjatë qeverisjes së Vuçiqit, Serbia u bë gjithnjë e më autokratike dhe e korruptuar, me mediat nën kontrollin e qeverisë dhe kontratat që, sipas tij, u shpërndaheshin personave të afërt me pushtetin.

Serwer theksoi se Bashkimi Evropian gjatë vitit të fundit është ndërgjegjësuar për atë që ai i cilëson pabesi të Vuçiqit dhe ka nisur ta ngadalësojë procesin e anëtarësimit të Serbisë. Ndërkohë, administrata amerikane është distancuar prej tij pas dështimit të një marrëveshjeje që Vuçiqi ia kishte premtuar Jared Kushnerit, ndërsa anëtarë të Kongresit amerikan kanë shtuar kritikat për afërsinë e tij me Rusinë dhe Kinën.

Sa i përket Listës Studentore, Serwer tha se ajo e ndërtoi mbështetjen e saj përmes mobilizimit qytetar, duke kaluar nga protestat kundër dhunës te çështjet mjedisore dhe lufta kundër korrupsionit.

Ai e vlerësoi programin e saj për përqendrimin në sundimin e ligjit, mediat e lira, meritokracinë, arsimin, punësimin, ushqimin, banimin dhe shëndetësinë. Sipas tij, kandidatët për deputetë janë përzgjedhur nga “plenumet” e udhëhequra nga studentët, pas intervistave, ndërsa lista përbëhet kryesisht nga profesionistë dhe udhëhiqet nga një kardiolog.

Megjithatë, Serwer paralajmëroi se shumica e re nuk do ta ketë të lehtë qeverisjen. Ai vlerësoi se përfaqësuesit e Vuçiqit, me përvojën e tyre në procedurat parlamentare dhe manovrat politike, do të përpiqen t’ua vështirësojnë punën deputetëve të rinj.

Sipas tij, Lista Studentore do të duhet të krijojë disiplinë dhe të organizohet për t’u përballur me sfidat e reja, ndërsa zgjedhja e presidentit të ri në dhjetor do të jetë vendimtare.

Serwer vuri në dukje se përfaqësuesit e rinj kanë folur pak për politikën e jashtme dhe se disa prej qëndrimeve të tyre për Kosovën mbeten problematike. Ai iu referua Memorandumit të Kragujevcit, i cili përsëriti pretendimin e Serbisë për sovranitet mbi Kosovën, por përmendi edhe mundësinë që udhëheqja e re të kërkojë mënyra për ta zbutur këtë çështje.

Profesori amerikan pret që deputetët e rinj të përpiqen të përshpejtojnë anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe të përmirësojnë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ai nuk pret një shkëputje të menjëhershme nga Rusia dhe Kina, për shkak të ndikimit të Moskës në aparatin e sigurisë serbe dhe investimeve kineze në vend.

Në përfundim, Serwer shprehu shpresën se Serbia do të orientohet gradualisht drejt Perëndimit, duke korrigjuar kursin politik të ndjekur nga Vuçiqi drejt Lindjes.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Dosja për kanosjen ndaj Arlinda Zekajt: “Kam me të mbyt, kam me të ngre zhag”

Dosja për kanosjen ndaj Arlinda Zekajt: “Kam me të mbyt, kam me të ngre zhag”

“Asgjë nuk do të jetë më si më parë”: Çfarë e pret Listën Serbe pas humbjes së Vuçiqit?

“Asgjë nuk do të jetë më si më parë”: Çfarë e pret Listën Serbe pas humbjes së Vuçiqit?

Crans-Montana planifikon dy memoriale për 41 viktimat e zjarrit tragjik në Zvicër

Crans-Montana planifikon dy memoriale për 41 viktimat e zjarrit tragjik në Zvicër