Gazetari i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), Michael Martens, ka kritikuar programin e politikës së jashtme të Lëvizjes Studentore në Serbi, duke vlerësuar se qëndrimet e saj për Kosovën vazhdojnë linjën nacionaliste të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe Partisë së tij Përparimtare Serbe (SNS).
Në një analizë të publikuar në FAZ, Martens shkruan se zgjedhjet parlamentare në Serbi u përcaktuan kryesisht nga çështjet e brendshme, por se qeveria e re do të përballet shumë shpejt me çështje të politikës së jashtme.

“Megjithatë, çështjet e politikës së jashtme shumë shpejt do të bien mbi qeverinë e re serbe. Dhe ajo që dihet për programin e politikës së jashtme të lëvizjes studentore nuk premton asgjë të mirë për Ballkanin”, shkruan Martens.
Sipas tij, në çështje të rëndësishme, programi i lëvizjes studentore përputhet me nacionalizmin serb të Vuçiqit dhe të partisë së tij, e cila ka pësuar humbje në zgjedhje.
“Është një dokument i nacionalizmit serb dhe i prapambetjes. Një përpjekje për ta zbatuar atë do të nxiste në mënyrë të pashmangshme konflikte në rajon”, vlerëson gazetari.
Amidst all the understandable joy over the change of power in Serbia, journalism must maintain a cool-headed perspective, including on the Serbian student movement and its spectacular success. For Frankfurter Allgemeine Zeitung, I had a closer look at the foreign policy program of the Serbian student movement. It is a disaster. A summary in 8⃣ points.
— Michael Martens (@Andric1961) October 27, 2026
Lista Studentore nuk e pranon Kosovën si realitet shtetëror
Duke u përqendruar te Kosova, Martens thekson se mosnjohja e pavarësisë së saj nga Lëvizja Studentore nuk është e papritur, pasi ky qëndrim është i përfshirë në preambulën e Kushtetutës së Serbisë.
Megjithatë, sipas tij, programi i lëvizjes shkon përtej mosnjohjes formale të pavarësisë, pasi nuk duket se e pranon as shtetësinë e Kosovës si një realitet politik.
“Por lëvizja studentore shkon më tej: ajo duket se nuk dëshiron ta pranojë as shtetësinë e Kosovës si një fakt të kryer”, shkruan Martens.
Ai shton se programi është formuluar sikur një qeveri në Beograd të mund të vepronte sipas dëshirës në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe pjesën jugore, ku shteti serb nuk ushtron pushtet faktik dhe juridiksion.
Në programin e publikuar në faqen e lëvizjes thuhet se Serbia do të luftojë për ta mbajtur Kosovën brenda saj, ndërsa Kosova cilësohet si “ashtuquajtur republikë”.
“Ne do të kundërshtojmë vazhdimisht pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Republikë të Kosovës dhe nuk do të lejojmë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”, thuhet në programin e Listës Studentore, sipas citimit të Martensit.
Gazetari vëren se programi nuk sqaron se si do të realizohej ky objektiv, ndërsa formulimet e përdorura ngjajnë me terminologjinë e përdorur më herët nga Vuçiqi dhe partia e tij.
Synojnë ndjekje penale për marrëveshjet Kosovë-Serbi
Një tjetër çështje që Martens e konsideron shqetësuese është qëndrimi i Lëvizjes Studentore ndaj marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Duke iu referuar marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të arritur në vitin 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ai thekson se programi i lëvizjes paralajmëron ndjekje penale ndaj përfaqësuesve përgjegjës të pushtetit të mëparshëm për arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve që i konsideron antikushtetuese dhe në dëm të Serbisë.
Në program thuhet: “Ne do të ndjekim penalisht të gjithë përfaqësuesit përgjegjës të regjimit për çdo vepër të mundshme penale që lidhet me përfundimin dhe zbatimin e marrëveshjeve antikushtetuese në dëm të Serbisë”.
Sipas Martensit, kjo tregon se lëvizja studentore synon të tërhiqet edhe nga ato që janë arritur deri më tani në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Institucionet e Kosovës i quan “të përkohshme”
Martens shkruan se programi i Lëvizjes Studentore nuk e trajton Qeverinë e Kosovës si një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, por përdor termin “institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes” për institucionet në Prishtinë.
Ai përmend edhe Universitetin e Mitrovicës së Veriut, selia e të cilit në program përshkruhet si e përkohshme.
“Pse e përkohshme? Sepse duan ta zhvendosin përsëri në kryeqytetin Prishtinë? Pa u konsultuar me Qeverinë e Kosovës? Si do të mund të realizohej kjo?”, pyet Martens.
Sipas gazetarit, pretendimi i lëvizjes studentore për të ushtruar vendimmarrje mbi Kosovën do të mund të realizohej vetëm përmes një lufte.
Për Kosovën, Lista Studentore mbështetet te partneriteti me Rusinë
Martens vëren se programi i Lëvizjes Studentore parasheh vazhdimin e partneritetit tradicional me Rusinë për zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta, përfshirë ato që lidhen me Kosovën.
Në program thuhet se Serbia do të vazhdojë të mos vendosë masa kufizuese ndaj Rusisë.
“Republika e Serbisë do t’i përmbahet qëndrimit të saj parimor për të mos vendosur masa kufizuese ndaj Federatës Ruse”, citohet të thuhet në program.
Në të njëjtën kohë, lëvizja synon zgjerimin e partneritetit strategjik me Kinën, veçanërisht në ekonomi, infrastrukturë dhe investime në teknologji të lartë.
Sipas Martensit, këto qëndrime tregojnë se programi i politikës së jashtme të lëvizjes studentore nuk sjell një shkëputje të qartë nga orientimi i deritanishëm nacionalist dhe pro-rus i politikës serbe.
Martens kritikon heshtjen për gjenocidin në Srebrenicë
Në analizën e tij, gazetari trajton edhe qëndrimin e lëvizjes studentore ndaj luftërave dhe krimeve të së kaluarës.
Ai vëren se programi shpreh solidaritet me palestinezët dhe kundërshton veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës, duke përdorur argumentin se populli serb e di se çfarë do të thotë të jetë viktimë e gjenocidit dhe spastrimit etnik.
Megjithatë, Martens vë në pikëpyetje këtë qasje, duke theksuar se lëvizja nuk ka reaguar ndaj varrimit me nderime ushtarake në Beograd të Ratko Mlladiqit, të dënuar për krime lufte dhe gjenocid.
Ai gjithashtu thekson se lëvizja ka organizuar tubime nacionaliste në përvjetorin e Betejës së Kosovës të vitit 1389, por ka heshtur në përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës të vitit 1995.
“Kjo dëshmon për herë të parë se si një brez që është rritur gjatë viteve të sundimit të Vuçiqit ka përvetësuar më shumë nga atmosfera nacionaliste e asaj periudhe sesa është i vetëdijshëm”, shkruan Martens.
Paralajmëron izolimin e Serbisë nëse zbatohet programi
Në përfundim të analizës, Martens thekson se një program zgjedhor nuk nënkupton domosdoshmërisht se të gjitha zotimet e tij do të zbatohen, duke lënë të hapur mundësinë që Lëvizja Studentore të bëhet më pragmatike pas ardhjes në pushtet.
Megjithatë, ai paralajmëron se, nëse qëndrimet e paraqitura në program shndërrohen në politikë të jashtme, Kosova, Kroacia, Mali i Zi dhe shumica e popullsisë në Bosnjë e Hercegovinë mund të afrohen përballë një Serbie të tillë.
“Rezultati nuk do të ishte çlirimi i Serbisë, por izolimi i saj”, përfundon Martens.
Ai shton se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës është zgjedhje e Serbisë, por rikthimi i kontrollit serb mbi Kosovën do të kërkonte luftë.
“Por për ta rikthyer kontrollin serb mbi Kosovën, serbët do të duhej të shkonin në luftë. Dhe këtë luftë, me siguri, do ta humbnin. Përsëri”, shkruan Martens në fund të analizës së tij për FAZ.
Burimi: Dukagjini




