Në një deklaratë të publikuar më 20 tetor, senatorët shprehën shqetësim për raportimet mbi parregullsitë zgjedhore, frikësimin e votuesve dhe kandidatëve opozitarë, si dhe përdorimin e burimeve administrative në favor të partisë në pushtet.

Deklarata udhëhiqet nga senatorja demokrate Jeanne Shaheen, anëtare e lartë e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, ndërsa nënshkruhet edhe nga senatorë të tjerë demokratë dhe republikanë, përfshirë Roger Wicker dhe Dick Durbin.
Senatorët iu referuan shqetësimeve të organizatave të pavarura monitoruese, përfshirë Qendrën për Kërkime, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) dhe Zyrën e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).
Ata shprehën shqetësim edhe për raportimet mbi përgjimin e kandidatëve opozitarë dhe përpjekjet për të diskredituar misionet vëzhguese të zgjedhjeve.
“Autoritetet serbe duhet të sigurojnë kushte të barabarta për të gjitha partitë dhe qasje të hapur në vendvotime për të gjithë qytetarët”, thuhet në deklaratë.
Senatorët theksuan rëndësinë e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, gazetarëve dhe kandidatëve politikë në ruajtjen e besimit në procesin zgjedhor.
Ata rikujtuan gjithashtu se parregullsi serioze ishin evidentuar edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, duke kërkuar që autoritetet dhe institucionet serbe të garantojnë zhvillimin paqësor dhe demokratik të zgjedhjeve të ardhshme.
Burimi: RTKLive




