Policia e Kosovës ka arrestuar një 22-vjeçar në Gjakovë, pasi gjatë bastisjes së shtëpisë së tij janë gjetur dhe sekuestruar mbi një kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, marihuanë, armë, municion dhe para të gatshme.

Sipas njoftimit të Policisë, bastisja është realizuar më 27 tetor 2026 nga hetuesit e Sektorit Rajonal për Trafikim me Narkotikë, në bazë të një urdhërese të Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse në pronësi të të dyshuarit, i lindur në vitin 2004, policia ka gjetur dhe konfiskuar rreth 1,009 gramë substancë të dyshuar kokainë dhe 4.14 gramë marihuanë.
Po ashtu, janë sekuestruar një armë automatike, një karikator me 24 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy karikatorë me nga 20 fishekë të kalibrit PPU 32.
Në mesin e provave të konfiskuara janë edhe 1,175 euro, 200 franga zvicerane, një dollar amerikan, 200 lekë dhe 100 rubla ruse.
Policia ka sekuestruar gjithashtu dy telefona iPhone, njërin prej tyre të dëmtuar, një peshore elektronike dhe një fletore me shënime të ndryshme.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, të caktuar sipas detyrës zyrtare.




