Jadon Sancho mund të përballet me një ulje drastike të pagës nëse vendos të transferohet te Getafe. Sipas The Telegraph, klubi spanjoll i ka ofruar sulmuesit anglez një kontratë me kushte financiare dukshëm më të ulëta krahasuar me ato që kishte te Manchester United.

Pesë vjet më parë, Sancho iu bashkua “Djajve të Kuq” me një kontratë që i siguronte rreth 250 mijë funte në javë. Megjithatë, kontrata e tij me klubin anglez skadoi këtë verë, duke e lënë futbollistin të lirë të shqyrtojë mundësi të reja për vazhdimin e karrierës.
Oferta e Getafes është shumë më e ulët se përfitimet e tij të mëparshme. Sipas raportimit, klubi spanjoll i ka ofruar një pagë prej vetëm 11 mijë eurosh në javë.
Në bazë të kushteve të propozuara, Sancho do të përfitonte gjithsej rreth 390 mijë euro nga tani deri në qershor, një shumë dukshëm më e vogël krahasuar me pagën që merrte gjatë kohës së tij te Manchester United.
Pavarësisht diferencës së madhe financiare, anglezi është i hapur ndaj mundësisë për të vazhduar karrierën në La Liga. Megjithatë, para se të marrë një vendim përfundimtar, ai dëshiron të takohet me trajnerin e Getafes, Jose Bordalas, për të diskutuar projektin e klubit dhe mundësinë e bashkëpunimit.
Ndërkohë, nëse transferimi realizohet me këto kushte financiare, kontrata pritet të shqyrtohet nga organet përkatëse të La Ligës, për shkak të uljes së konsiderueshme të pagës së futbollistit.
Mbetet të shihet nëse Sancho do ta pranojë ofertën e Getafes dhe do të jetë i gatshëm të bëjë një sakrificë të madhe financiare për të nisur një kapitull të ri në futbollin spanjoll.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




