Rubio u bën thirrje kubanëve të bashkëpunojnë me CIA-n për të sjellë ndryshime në vend

Rubio u bën thirrje kubanëve të bashkëpunojnë me CIA-n për të sjellë ndryshime në vend

Rubio u bën thirrje kubanëve të bashkëpunojnë me CIA-n për të sjellë ndryshime në vend

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u ka bërë thirrje qytetarëve kubanë që dëshirojnë ndryshime politike të bashkëpunojnë me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA), me synimin për t’i dhënë fund qeverisjes komuniste në ishull.

Sponsor 3M Express

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës së tij kanë lënë të kuptohet prej muajsh se SHBA-ja mund të ndërhyjë ushtarakisht në Kubë, ndërsa kanë shtuar presionin ekonomik, politik dhe ligjor ndaj qeverisë në Havanë.

Të premten, Rubio iu drejtua publikisht personave që kërkojnë ndryshime në Kubë, duke shkruar në rrjetin social X: “Për ata që dëshirojnë të sjellin ndryshime pozitive në Kubë – tani është koha”.

Ai përmendi zhgënjimin nga premtimet e pambajtura, korrupsionin dhe privilegjet që, sipas tij, gëzon vetëm një pakicë, ndërsa i inkurajoi qytetarët ta shfrytëzojnë mundësinë për të realizuar ndryshimet që dëshirojnë përmes një “partneriteti diskret me CIA-n”.

Deklarata u tall nga zyrtarët kubanë. Zëvendësministri i Jashtëm i Kubës, Carlos Fernández de Cossío, shkroi në X se SHBA-ja po i drejtohej tashmë rekrutimit publik për CIA-n.

“Duhet të ketë shumë dëshpërim ose mjerim brenda agjencisë, që ajo të detyrohet t’i shesë shërbimet e saj si një tub pastë dhëmbësh”, deklaroi ai, transmeton Telegrafi.

Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë amerikanë kërcënojnë me ndërhyrje ushtarake në Kubë. Muajin e kaluar, Fernández de Cossío deklaroi për programin “Washington Journal” të televizionit amerikan C-SPAN se përdorimi i forcës ushtarake kundër Kubës, të cilën e cilësoi si një vend fqinj paqësor, do të përbënte një “krim të tmerrshëm ndërkombëtar”.

Ndërkohë, CIA publikoi në X një video në gjuhën spanjolle, ku shpjegohen mënyrat se si personat që kanë informacione me interes për agjencinë mund t’i kontaktojnë autoritetet amerikane. Videoja i këshillon ata që, nëse mund të udhëtojnë në mënyrë të sigurt, të paraqiten fillimisht personalisht në një ambasadë zyrtare të SHBA-së.

Zhvillimet vijnë në një kohë kur bllokada e naftës e vendosur nga SHBA-ja ndaj Kubës në fillim të këtij viti ka rënduar ndjeshëm jetën e qytetarëve. Vendi po përballet me mungesa karburanti dhe ndërprerje të energjisë elektrike, të cilat përkeqësohen nga infrastruktura e amortizuar.

Ekspertët e të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara e kanë dënuar bllokadën e naftës, duke e cilësuar atë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ndërkohë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se kërcënimet e administratës Trump pasqyrojnë një qasje imperialiste ndaj ishullit.

Uashingtoni mban një embargo ndaj Kubës prej më shumë se 60 vjetësh. Administrata Trump ka shtuar presionin ndaj Havanës pas operacionit ushtarak amerikan në janar, gjatë të cilit u kap presidenti i atëhershëm i Venezuelës, Nicolás Maduro. /Telegrafi/

Lexo edhe

“Vuçiq është drejt fundit politik”, ish-zëvendëskryeministri serb komenton pjesëmarrjen e lartë në zgjedhje

“Vuçiq është drejt fundit politik”, ish-zëvendëskryeministri serb komenton pjesëmarrjen e lartë në zgjedhje

Pajaziti: Rreth 30% e votuesve kanë dalë në Medvegjë (VIDEO)

Pajaziti: Rreth 30% e votuesve kanë dalë në Medvegjë (VIDEO)

Carrick: Nuk ishte një lamtumirë, por rezultatet dhe paraqitjet nuk ishin të mjaftueshme

Carrick: Nuk ishte një lamtumirë, por rezultatet dhe paraqitjet nuk ishin të mjaftueshme

Rubio u bën thirrje kubanëve të bashkëpunojnë me CIA-n për të sjellë ndryshime në vend | Momenti