Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se gjatë muajit shtator 2026 janë regjistruar 79 mijë e 154 vizitorë në hotelet e Kosovës, që paraqet rritje prej 22.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas statistikave të publikuara nga ASK-ja, nga numri i përgjithshëm i vizitorëve, 29 mijë e 928 ishin vendorë, ndërsa 49 mijë e 226 të huaj.
Në shtator të vitit 2025, hotelet kishin regjistruar gjithsej 64 mijë e 727 vizitorë.
Ndërkohë, numri i net-qëndrimeve në shtator 2026 arriti në 156 mijë e 984. Prej tyre, 95 mijë e 950 net-qëndrime, apo 61.1 për qind, u realizuan nga vizitorët e huaj, ndërsa 61 mijë e 35, apo 38.8 për qind, nga vizitorët vendorë.
Sa u përket vizitorëve të huaj, ASK-ja ka evidentuar rritje prej 24.9 për qind në krahasim me shtatorin e vitit 2025, kur ishin regjistruar 39 mijë e 397 vizitorë të jashtëm.
Shtetasit e Shqipërisë prinë për nga numri i vizitave në hotelet e Kosovës, me 8 mijë e 908 vizitorë, pasuar nga ata të Gjermanisë me 5 mijë e 485, Zvicrës me 4 mijë e 182 dhe Turqisë me 3 mijë e 291 vizitorë.
Edhe në numrin e net-qëndrimeve nga vizitorët e huaj, Shqipëria prin me 14 mijë e 788 net-qëndrime, e ndjekur nga Gjermania me 8 mijë e 929, Turqia me 4 mijë e 804 dhe Zvicra me 5 mijë e 141.
Të dhënat janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në kuadër të raportit për Statistikat e Hotelerisë për muajin shtator 2026. /Telegrafi/




