Nëntë persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan privat u rrëzua në një zonë të banuar në shtetin amerikan të Floridës. Aeroplani u përplas në një rrugë me shumë korsi, duke shkaktuar shpërthim dhe dëme të konsiderueshme, por pa shkaktuar viktima apo të lënduar në tokë. Autoritetet kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentit, ndërsa kushtet e këqija atmosferike dhe problemet e raportuara gjatë fluturimit janë ndër elementet që po shqyrtohen.
Aeroplani i tipit Learjet 60 ishte nisur nga qyteti i Austin-it, në Teksas, dhe po udhëtonte drejt Bahamasve, kur u rrëzua të dielën pranë zonës Cresthaven, në qarkun Palm Beach. Sipas sekretarit amerikan të Transportit, Sean Duffy, të nëntë personat që ndodheshin në bord kanë humbur jetën. Ndërkaq, nuk raportohet për viktima apo të lënduar në tokë.

Regjistrimet e komunikimit me kontrollin e trafikut ajror tregojnë se ekuipazhi kishte raportuar turbulenca të moderuara dhe probleme me akullin gjatë fluturimit. Pak para rrëzimit, një anëtar i ekuipazhit shpalli gjendje emergjente dhe paralajmëroi se aeroplani po zbriste me shpejtësi të madhe. Sipas analizave të fluturimit, mjeti ajror po humbte lartësi me qindra këmbë në sekondë.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, e përshkroi skenën e aksidentit si tronditëse. “Ishte si një raketë që bie nga qielli, e ndjekur nga një shpërthim masiv dhe mbeturina që shpërndahen gjithandej”, tha ai.
Autoritetet lokale evakuuan rreth 600 banorë nga një komunitet pranë vendit të rrëzimit. Përplasja shkaktoi dëme edhe në infrastrukturën lokale, përfshirë rrjetin e ujësjellësit, ndërsa rruga ku ndodhi aksidenti pritet të mbetet e mbyllur për të paktën 30 ditë.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA), në bashkëpunim me Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit, ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Sekretari i Transportit, Sean Duffy, e cilësoi ngjarjen si “një tragjedi të tmerrshme” dhe shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.
Në kohën e rrëzimit, në zonë kishte raportime për stuhi dhe reshje të dendura shiu. Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte qëndruar më herët në resortin e tij Mar-a-Lago, por ishte larguar nga një aeroport aty pranë rreth një orë para aksidentit.
Burimi: RTKLive




