Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka ndaluar vendosjen në treg të rreth 150 mijë lodrave për fëmijë, të cilat kishin origjinë nga Kina.

Bëhet e ditur se aksioni i përbashkët është realizuar gjatë ditëve të fundit në pikat doganore, në kuadër të një aktiviteti të mbikëqyrjes së tregut në të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s, transmeton Klankosova.tv.
Sipas IQMT-së, gjatë kontrollit është konstatuar se lodrat nuk i plotësonin kërkesat themelore të përcaktuara me Rregulloren nr. 02/2017 për sigurinë e lodrave.
Inspektorati ka rikujtuar se produktet që nuk përmbushin standardet e përcaktuara me legjislacionin në fuqi mund të paraqesin rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve.




