Edicioni i tretë i Roma Film Festival, me temën “Shifting Realities” (Realitete në Ndryshim), është hapur më 19 tetor në Prishtinë, duke bashkuar artistë, përfaqësues të kulturës dhe komunitetit, si dhe publikun, në një program kushtuar krijimtarisë rome dhe fuqisë së rrëfimit artistik.

Festivali, i organizuar nga Roma Versitas Kosovo, synon të sfidojë stereotipat dhe perceptimet e zakonshme për komunitetet rome, duke u dhënë hapësirë historive dhe perspektivave që shpesh mbeten të padëgjuara.
Sipas organizatorëve, koncepti i këtij edicioni fokusohet në mënyrën se si arti mund të ndryshojë perceptimet dhe të ndihmojë në kuptimin më të gjerë të identitetit, kulturës, kujtesës dhe përkatësisë.
Programi përfshin filma, teatër, muzikë, poezi dhe art pamor, si dhe bashkëbisedime me regjisorët e filmave. Përmes këtyre formave të shprehjes, festivali synon të krijojë hapësirë për dialog kulturor dhe të prezantojë përvojat rome përtej narrativave të zakonshme.
Pas aktivitetit në Prishtinë, festivali do të vazhdojë në Berlin më 22 tetor 2026, në ambientet e Institutit Evropian për Artet dhe Kulturën Rome (ERIAC).
Roma Film Festival synon të promovojë dukshmërinë e artistëve romë dhe të krijojë mundësi për shkëmbim kulturor ndërmjet komuniteteve dhe vendeve të ndryshme.
Përmes temës “Shifting Realities”, edicioni i sivjetmë synon ta ftojë publikun të rishqyrtojë paragjykimet dhe të zbulojë perspektiva të reja përmes artit dhe përvojave të vetë krijuesve romë. /Telegrafi/




