Boksieri shqiptar, Robin Krasniqi, ka reaguar pas meçit të kolegut të tij, Nelson Hysa, kundër boksierit gjerman, Agit Kabayel, duke kritikuar mënyrën se si përfundoi përballja.

Krasniqi, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka thënë se nuk është ndier kurrë më i fyer se mbrëmjen e kaluar, duke e cilësuar dorëzimin e Hysës si të papranueshëm, shkruan Insajderi.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, po ndërtohen disa karriera në boksin profesionist, me kundërshtarë jocilësorë dhe duele që ngrenë pikëpyetje për sinqeritetin e tyre.
Sipas Krasniqit, kur një boksier përballet për herë të parë me një kundërshtar të nivelit të vërtetë, atëherë dalin në pah mangësitë e një karriere të ndërtuar në këtë mënyrë.
“Ne mund të humbim, mund të mos boksojmë bukur, kundërshtari mund të na deklasojë. Çdo gjë mund të ndodhë në ring, por të dorëzohemi në atë mënyrë qesharake, pa u goditur fare, është diçka e rëndë”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka përmendur edhe faktin se meçi u zhvillua në prag të 28 Nëntorit, duke thënë se boksierët kanë përgjegjësi ndaj tifozëve dhe flamurit shqiptar.
Në fund, Krasniqi u ka bërë thirrje të rinjve që të mos ndërtojnë karriera joserioze në boks, por t’i përkushtohen këtij sporti vetëm nëse e duan dhe kanë shpirt luftarak. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi





