Rizvanolli shpjegon pse Qeveria ndaloi tregtimin e energjisë me kompanitë serbe

Rizvanolli shpjegon pse Qeveria ndaloi tregtimin e energjisë me kompanitë serbe

Rizvanolli shpjegon pse Qeveria ndaloi tregtimin e energjisë me kompanitë serbe

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, si kundërmasë ndaj bllokimit të linjave të transmetimit nga Serbia.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Rizvanolli ka shpjeguar se bllokimi i linjave të transmetimit nga Serbia, që nga 14 dhjetori i vitit 2020, i ka shkaktuar Kosovës dëme të konsiderueshme financiare dhe ka rrezikuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Sponsor 3M Express

Ajo ka përmendur vitin 2024 si një nga periudhat kur pasojat e këtij bllokimi kanë qenë më të dukshme, për shkak të rritjes së çmimeve të kapaciteteve ndërkufitare dhe kostove për Kosovën.

“Që nga data 14 dhjetor i vitit 2020, kur Kosova është e pavarësuar nga blloku energjetik me Serbinë dhe funksionon si bllok rregullues i pavarur në kuadër të bllokut Shqipëri-Kosovë, Serbia ka bllokuar linjat e transmetimit me Kosovën për alokim komercial dhe tregtim. Kjo ka shkaktuar dëme të konsiderueshme për Kosovën, duke përfshirë këtu dëmet financiare, mirëpo edhe rrezikun e furnizimit me energji elektrike në disa raste”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ministrja ka theksuar se kërkesa e Kosovës për lirimin e linjave nuk lidhet me dëshirën për të importuar energji elektrike nga Serbia, por me mundësinë e shfrytëzimit të tyre për tranzit të energjisë nga shtetet e tjera.

“Ne nuk e duam lirimin e linjave me Serbinë për shkak se dëshirojmë të importojmë energji elektrike nga Serbia, mirëpo bllokimi i linjave nga Serbia do të thotë që ato janë të pashfrytëzueshme për ne për tranzit. Kjo do të thotë që energjia elektrike nga shtetet e tjera nuk mund të vijë përmes këtyre linjave, duke përfshirë këtu edhe faktin që vështirësohet shumë ose pamundësohet sjellja e energjisë nga bursa e HUPX-it, që është një ndër bursat më likuide të rajonit”, ka thënë ajo.

Rizvanolli ka bërë të ditur se pas ankesës zyrtare të KOSTT-it në vitin 2021 në Komunitetin e Energjisë, Këshilli i Ministrave i këtij komuniteti, në dhjetor të vitit 2025, ka konstatuar shkeljen e traktatit nga ana e Serbisë dhe e ka obliguar atë që deri më 1 korrik 2026 t’i lirojë linjat për tregtim.

Megjithatë, sipas saj, Serbia nuk e ka zbatuar këtë vendim deri në afatin e përcaktuar.

“Pas shumë përpjekjeve tona dhe pas një ankese zyrtare që KOSTT-i ka bërë në vitin 2021 në Komunitetin e Energjisë, më në fund Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë, në dhjetor të vitit 2025, e ka konstatuar, e ka vërtetuar këtë shkelje të traktatit dhe të acquis-së nga ana e Serbisë dhe e ka detyruar Serbinë që deri më 1 korrik të vitit 2026 t’i lirojë linjat për tregtim. Asgjë nuk ka ndodhur deri më 1 korrik”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ministrja ka treguar se më 11 nëntor i është drejtuar ministres së Ndërmarrësisë, Tregtisë, Industrisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, me kërkesën që të shqyrtohej mundësia e marrjes së masave tregtare si kundërmasa ndaj Serbisë për bllokimin e linjave.

Ajo ka falënderuar Kusari-Lilën për reagimin e shpejtë, duke theksuar se vendimi i sotëm është propozuar pas shqyrtimit të dokumentacionit të ofruar, përfshirë raportet e ZRRE-së dhe KOSTT-it.

“Për këtë arsye, më 11 nëntor i jam drejtuar ministres së Ndërmarrësisë, Tregtisë, Industrisë dhe Inovacionit, zonjës Mimoza Kusari-Lila, që ta shqyrtojë këtë çështje dhe masat tregtare si kundërmasa ndaj Serbisë për shkak të bllokimit të linjave. Falënderoj ministren për reagimin e saj të shpejtë, që pas shqyrtimit të dokumentacionit që ia kemi ofruar, duke përfshirë këtu edhe raportet e ZRRE-së dhe KOSTT-it, sot ka propozuar vendimin që e morëm, pra që ndalohet tregtimi i energjisë elektrike me kompani serbe”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ministrja ka sqaruar se vendimi përfshin jo vetëm kompanitë serbe, por edhe kompanitë që kanë kompani amë serbe, aksionarë apo lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta me shtetas serbë./EO

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Alarm për energjinë në Kosovë, Qeveria propozon masa emergjente për dy muaj

Alarm për energjinë në Kosovë, Qeveria propozon masa emergjente për dy muaj

Edon Zhegrova me statistikë impresionuese, lë prapa edhe Dokun e Cityt në këtë aspekt në Ligën e Kombeve

Edon Zhegrova me statistikë impresionuese, lë prapa edhe Dokun e Cityt në këtë aspekt në Ligën e Kombeve

KRU “Prishtina” realizon intervenime në disa rrugë dhe fshatra të kryeqytetit

KRU “Prishtina” realizon intervenime në disa rrugë dhe fshatra të kryeqytetit