Sulmuesi i Ballkanit, Albin Berisha, po kalon një sezon pozitiv në aspektin individual, me gjashtë gola në 14 paraqitje, ndërsa beson se skuadra nga Suhareka ka potencialin për t’u rikthyer në garën për titullin e kampionit në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Albin Berisha është një prej futbollistëve më të rëndësishëm të Ballkanit këtë sezon, duke u shndërruar në një nga pikat kryesore të repartit sulmues të skuadrës nga Suhareka.
Pas një karriere me përvoja të rëndësishme jashtë Kosovës, përfshirë edhe aventurën në futbollin gjerman, sulmuesi vendosi që gjatë verës të rikthehej te klubi ku ishte rritur si futbollist, duke zgjedhur një ambient që e njeh mirë dhe ku kishte përjetuar sukseset më të mëdha.
Rikthimi i tij ka rezultuar pozitiv edhe në aspektin individual. Berisha ka realizuar gjashtë gola në 14 paraqitje në Superligën e Kosovës, ndërsa së fundmi mori vëmendjen me një realizim të bukur me thembër në përballjen ndaj Gjilanit.
Megjithatë, situata e Ballkanit në kampionat nuk është në nivelin e pritshmërive. Skuadra renditet në pozitën e katërt me 22 pikë, 13 pikë prapa Prishtinës, që kryeson tabelën, por ambiciet për të luftuar deri në fund mbeten të mëdha.
Në një intervistë për Telegrafin, Berisha ka folur për arsyet që e shtynë të rikthehej në Suharekë, formën e tij individuale, përvojën e fituar jashtë vendit dhe situatën aktuale të Ballkanit.
Fillimisht, sulmuesi ka treguar se rikthimi te Ballkani nuk ishte një vendim që kërkonte shumë bindje, pasi lidhja me klubin dhe dëshira për ta veshur sërish këtë fanellë ishin vendimtare.
“Rikthimi në klubin e Ballkanit nuk ka shumë nevojë për bindje pasi për mua është shumë e veçantë të vesh këtë fanellë. Dëshira ka qenë e madh, pasi ky është klubi ku jam rritur si futbollist. Prandaj vendimi ka qenë shumë i lehtë. Synimet janë gjithmonë të mëdha, duke parë sukseset që klubi ka arritur në vitet e fundit”, ka thënë fillimisht Berisha për Telegrafin.
Sa i përket paraqitjeve individuale, Berisha është shprehur i kënaqur me gjashtë golat e realizuar deri më tani, por ka paralajmëruar se ende ka shumë për të dhënë në vazhdim të sezonit.
“Si sulmues, normalisht jam i kënaqur me gjashtë golat që kam shënuar deri tani, por është vetëm fillimi dhe kam ende shumë për të dhënë”.
Përvoja në futbollin ndërkombëtar, veçanërisht ajo në Gjermani, duket se ka pasur ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e tij si futbollist. Berisha ka theksuar se përveç aspektit fizik, kjo aventurë e ka ndihmuar të përvetësojë një mentalitet më të fortë dhe disiplinë më të madhe, të cilat tashmë synon t’i përcjellë edhe te bashkëlojtarët.
“Përvoja në futbollin ndërkombëtar, sidomos në Gjermani, më ka ndihmuar shumë në aspektin e mentalitetit dhe përgatitjes fizike. Atje futbolli është shumë fizik dhe kërkon disiplinë, shumë punë dhe mentalitet fitues. Këto janë gjëra që mundohem t’i përcjell edhe te skuadra”, shtoi 25-vjeçari.
Duke folur për objektivat kolektive, sulmuesi ka rikujtuar periudhën e suksesshme të Ballkanit, ku ishte edhe vetë pjesë e skuadrës që fitoi tri tituj radhazi të kampionit. Pavarësisht diferencës aktuale prej 13 pikësh me liderin Prishtina, ai beson se cilësia e ekipit është e mjaftueshme për të luftuar sërish për trofe.
“Ballkani ka qenë tri vite rresht kampion, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë. Edhe pse aktualisht jemi 13 pikë prapa liderit, cilësia dhe potenciali i skuadrës nuk diskutohen. Besoj se së bashku me punë dhe disiplinë mund të arrijmë shumë”.
Megjithatë, Berisha nuk ka fshehur faktin se rezultatet kanë qenë problemi kryesor i skuadrës në këtë pjesë të parë të kampionatit. Sipas tij, Ballkanit nuk i mungon cilësia, por përqendrimi dhe konkretizimi në momente të caktuara të ndeshjeve.
“Mendoj se na kanë munguar rezultatet. Kemi cilësi, por duhet të jemi më të përqendruar dhe më konkretë, sepse në disa ndeshje, edhe pse kemi zhvilluar lojëra të mira, nuk kemi arritur t’i marrim rezultatet që kemi kërkuar”.
Në fund, sulmuesi ka folur edhe për ambiciet personale në pjesën e mbetur të sezonit, ku synon të vazhdojë me gola dhe të ndihmojë Ballkanin të arrijë objektivat e tij. Por, përtej suksesit me klubin, një dëshirë e veçantë mbetet edhe rikthimi në Përfaqësuesen e Kosovës.
“Synimi im është normalisht të shënoj sa më shumë gola dhe ta ndihmoj skuadrën në arritjen e objektivave, por mbi të gjitha rëndësi ka vazhdimësia dhe rezultatet e ekipit. Sa i përket Përfaqësueses së Kosovës, besoj se për çdo futbollist kosovar është ëndrra më e madhe të veshë fanellën e shtetit të tij dhe ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Edhe për mua mbetet një dëshirë dhe motivim shumë i madh”, përfundoi sulmuesi therandas.
Me 14 xhiro të zhvilluara, gjashtë gola në llogarinë e tij dhe një sezon ende të gjatë përpara, Berisha synon të vazhdojë formën pozitive, ndërsa Ballkani kërkon të rikthehet në rrugën e rezultateve që e kanë karakterizuar në vitet e fundit.
Në ndeshjen e ardhshme, therandasit luajnë në udhëtim te Dukagjini në Klinë, këtë vikend. /Telegrafi/





