Territori i Kosovës gjatë pesë ditëve të ardhshme do të përballet me mot të ndryshueshëm, të përcjellë me vranësira, intervale me diell dhe reshje periodike shiu. Në viset malore dhe në zonat me lartësi më të mëdha mbidetare parashihen edhe reshje bore, ndërsa temperaturat do të pësojnë luhatje të ndjeshme.

E hënë: Moti do të jetë kryesisht i vranët dhe me reshje shiu, teksa në viset e larta priten reshje të kombinuara të shiut dhe borës. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 deri në 5 gradë Celsius, kurse ato maksimale nga 6 deri në 9 gradë.
E martë: Pritet mot me vranësira të shpërndara dhe intervale me diell. Gjatë mëngjesit parashihen ngrica dhe mjegull në disa zona, me temperatura minimale që zbresin nga -5 deri në -3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 3 deri në 6 gradë.
E mërkurë: Do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara, të cilat vende-vende mund të sjellin riga të dobëta shiu. Kjo ditë pritet të shënojë edhe rënien më të theksuar të temperaturave, ku në mëngjes do të ketë ngrica dhe minimalet do të zbresin nga -8 deri në -3 gradë Celsius.
E enjte: Rikthehet moti kryesisht i vranët, me mundësi për reshje të herëpashershme shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 5 deri në 8 gradë. Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1 deri në 6 m/s.
E premte: Moti do të mbetet kryesisht i vranët dhe me kushte për reshje shiu. Temperaturat minimale do të sillen nga 2 deri në 5 gradë Celsius, kurse ato maksimale nga 6 deri në 9 gradë. Era nga jugperëndimi do të fryjë me shpejtësi 1 deri në 6 m/s.
Nga aspekti termik, ngricat e mëngjesit gjatë mesit të javës do të jenë më të theksuara në zonat e ulëta dhe luginore, ku lagështia e shtuar mund të shkaktojë mjegull dhe zvogëlim të përkohshëm të dukshmërisë. Dallime pritet të ketë edhe mes rajoneve, me temperatura më të ulëta në zonat malore dhe kushte relativisht më të buta në disa pjesë të Rrafshit të Dukagjinit. Drejt fundit të javës temperaturat do të shënojnë rritje graduale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





