Artistja britanike e jazz-it dhe soul-it, RAYE, është shpallur fituese e edicionit të këtij viti të çmimit prestigjioz Mercury Prize, duke triumfuar ndaj emrave të njohur të muzikës, përfshirë Paul McCartney, Florence + The Machine dhe favoriten Olivia Dean.

Këngëtarja, emri i vërtetë i së cilës është Rachel Keen, u vlerësua për albumin e saj të dytë, “This Music May Contain Hope”, duke marrë në duar trofeun e shumëkërkuar.
RAYE arriti të mposhtë konkurrencën e Olivia Dean, e cila konsiderohej favorite për çmimin, si dhe të JADE, Florence + The Machine, albumit përmbledhës “Help (2)” të organizatës War Child dhe Paul McCartney. Ky i fundit ishte nominuar për herë të parë në karrierën e tij për këtë çmim, në moshën 84-vjeçare, me albumin e ri “The Boys of Dungeon Lane”.
Juria vlerësoi albumin e RAYE për ndërthurjen e shkëlqyer të elegancës së Hollywood-it të dikurshëm me realizmin e jetës së përditshme. Në album përfshihet edhe kënga e suksesshme “Where Is My Husband!”, ndërsa projekti rrëfen historinë e një gruaje të re që përballet me sfidat e përditshme të jetës dhe dashurisë, duke përcjellë një mesazh gëzimi dhe shprese.
“RAYE shfaq imagjinatë dhe një vizion të jashtëzakonshëm, duke dëshmuar se çfarë mund të jetë një album. Ajo shkon përtej një stili apo zhanri të vetëm për të realizuar vizionin e saj artistik”, thuhet në deklaratën e jurisë.
Sipas saj, albumi i RAYE është një vepër e jashtëzakonshme që do të shërbejë si frymëzim i madh edhe në vitet në vijim.
Duke pranuar çmimin, këngëtarja nuk e fshehu emocionin dhe mirënjohjen.
“Nuk mund t’ju tregoj se sa mirënjohëse jam që po e mbaj këtë çmim në duar. Po dridhem, jam e lodhur nga udhëtimi, jam e rraskapitur dhe mirënjohëse. Gjithçka më duket ende e paqartë”, u shpreh ajo.
RAYE foli gjithashtu për rëndësinë që kanë albumet për të, duke theksuar se gjithmonë ka besuar se ato përfaqësojnë një formë të rëndësishme të shprehjes artistike.
Raye (Getty Images)
“Albumet janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Nuk dua të dukem e hidhëruar, sepse mendoj se në pjesën më të madhe jam pajtuar me të kaluarën time. Por, kur vjen nga një realitet ku gjithçka sillet rreth këngëve të veçanta dhe ndjekjes së suksesit të radhës, ndihem jashtëzakonisht mirënjohëse që po vlerësohem për këtë”, tha ajo.
Me këtë deklaratë, artistja iu referua edhe përvojës së saj të mëparshme me kompaninë diskografike, me të cilën u nda pasi e akuzoi se nuk e lejonte të publikonte albumin e saj debutues.
Në vitin 2023, RAYE publikoi albumin “My 21st Century Blues” si artiste e pavarur, një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt kontrollit më të madh mbi krijimtarinë dhe karrierën muzikore.
Gjatë fjalimit të saj, këngëtarja e përshkroi muzikën si “ilaç”, duke shpjeguar se shpreson që mesazhi i albumit të arrijë te njerëzit që kanë nevojë për të.
“Lotët do të fillojnë të rrjedhin tani, prandaj thjesht do të them: ‘This Music May Contain Hope’. ‘Shpresa’ është një fjalë paksa e ndjeshme dhe e tepruar, sidomos për ne britanikët. Nuk jemi mësuar të flasim për gjëra kaq të thella, por shpresa është diçka që na nevojitet të gjithëve. Muzika është pikërisht kjo, muzika është ilaç. Shpresoj që ky mesazh të arrijë te kushdo që ka nevojë për të. Ju falënderoj shumë për këtë çmim”, u shpreh RAYE.
Raye (Foto: Joseph Okpako/Getty)
Kjo ishte hera e dytë që artistja nominohej për Mercury Prize. Herën e parë ishte vlerësuar për albumin debutues “My 21st Century Blues”, i cili i hapi rrugën një tjetër arritjeje të rëndësishme: në vitin 2024, ajo theu rekordin në BRIT Awards, duke fituar gjashtë çmime brenda një edicioni të vetëm.
RAYE tashmë i bashkohet listës së fituesve të mëparshëm të Mercury Prize, ku bëjnë pjesë Sam Fender, Ezra Collective, Michael Kiwanuka, Little Simz, Arlo Parks dhe Young Fathers, si dhe grupe e artistë të njohur si Arctic Monkeys, Pulp, PJ Harvey dhe Franz Ferdinand.
Ceremonia e këtij viti u mbajt të enjten në mbrëmje në Utilita Arena, në Newcastle. Mercury Prize është një nga vlerësimet më të rëndësishme të industrisë muzikore britanike dhe irlandeze, që çdo vit nderon albumin më të mirë të publikuar nga një artist ose grup nga Britania e Madhe apo Irlanda. /Telegrafi/




