Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Kuvendi formimin e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e Arlinda Zekajt.

Nga foltorja e Kuvendit, Sveçla ka thënë se menjëherë pas marrjes së lajmit për rastin, ka kërkuar hetim nga Inspektorati Policor i Kosovës për veprimet ose mosveprimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Megjithatë, ai ka theksuar se përgjegjësia duhet të shqyrtohet edhe për institucionet e tjera të përfshira në këtë zinxhir, transmeton Klankosova.tv.
“Por pyetja tjetër që ka lindur është: Çka me institucionet e tjera? Me Prokurorinë, me Gjykatën, me Qendrën për Punë Sociale, e cila është në varësi të komunës, me Mbrojtësin e Viktimave, me vetë IPK-në”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka thënë se secili institucion ka përgjegjësinë e vet dhe se, në mungesë të mekanizmave të tjerë për të kërkuar llogaridhënie, i është drejtuar Kuvendit me kërkesën për formimin e një komisioni hetimor parlamentar.
“Kam kërkuar nga Parlamenti që të bëjë komision hetimor parlamentar në mënyrë që të gjitha institucionet të vijnë para jush në komision dhe të japin llogaridhënie për veprimet apo mosveprimet e tyre”, tha ministri, njofton Klankosova.tv.




