Anita Muçaj, bashkëshortja e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar që të bëhet publik identiteti i personit me mbiemrin Haradinaj, i cili, sipas deklarimeve të avokates Adelina Hoxha, është përmendur në kontekstin e kërcënimeve nga i dyshuari për vrasjen.

Përmes një postimi në Facebook, Muçaj ka shprehur dhimbjen për vrasjen e Arlindës, duke theksuar se ajo ishte një grua dhe nënë që kërkonte mbrojtje nga institucionet shtetërore.
“Si anëtare e familjes Haradinaj, bashkëndjej dhimbjen e madhe nga vrasja makabre dhe shokuese e një nëne dhe një gruaje që kërkonte mbrojtje shtetërore, të ndjerës Arlinda Zekaj”, ka shkruar Muçaj, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Muçaj është ndalur edhe te përdorimi i mbiemrit Haradinaj në kontekstin e kërcënimeve dhe frikësimit të individëve.
Ajo ka kërkuar nga avokatja Adelina Hoxha që të sqarojë publikisht dhe para organeve hetimore se për cilin person bëhet fjalë.
“Kërkoj nga avokatja Adelina Hoxha që konkretisht të deklarojë publikisht dhe pranë organeve hetimore se kush është me emër ai Haradinaj, në emër të të cilit apo të cilëve ka kërcënuar vrasësi i Arlinda Zekajt, e jo ta turbullojë ujin me një fjalë të tillë të ndjeshme, pasi mbiemrin Haradinaj e kam edhe unë, edhe fëmijët e mi, edhe qindra anëtarë të familjes Haradinaj. Ky është një mbiemër që përfaqëson sakrificën dhe dashurinë për atdhe, respektin ndaj shtetit dhe ligjit, e jo strehë horrash e kriminelësh”, ka theksuar gruaja e Ramush Haradinajt./ Klankosova.tv




