Një rast të vrasjes së një gruaje nuk e kreu ende, një tjetër i ri iu shtua.

Prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Armend Hamiti e ka tash në dorë lëndën e vrasjes me sëpatë të Arlinda Zekajt, nga kunati i saj, Albert Sylaj.
Veprimet urgjente ndaj këtij të fundit, prokurori Hamiti deklaroi që i ka marr tashmë, pasi me vendim të Kryeprokurorit të Shtetit, krejt lëndët që lidhen me rastin e Arlindës, nga Prokuroria e Pejës u sollën te kjo në Prishtinë.
Këtu ky ka shqyrtuar edhe rastin e vrasjes së argjentinases, Maria Clara, nga partneri i saj, Endrit Nika i cili iu kthye sërish në rigjykim nga Apeli.
Megjithatë, Apelin e kaloi një vendim tjetër me burgim të përjetshëm që u dha për dy vëllezërit Vllasaliu, ndaj të cilëve prokurori, Armend Hamiti ngriti aktakuzë dhe të njëjtën e përfaqësoi në seanca gjyqësore.
Hamiti pati në dorë edhe një nga rastet e vrasjeve të bujshme të ndodhura në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.
Krejt këto shkruhen në vlerësimin e përformancës që ndër vite bëhet në kuadër të Këshilli Prokurorial të Kosovës, e ku për vitin 2025 i rezulton tre aktakuza të refuzuara.
Në dosjet e Këshillit Prokurorial është e shkruar edhe një vërejtje publike me shkrim që më 2022 e kishin shqiptuar ndaj Hamitit, rast i cili ishte kthyer në rivendosje nga Kushtetuesja.
Në të njëjtin vit, Armend Hamiti kishte kandiduar edhe për t’u bërë Kryeprokuror i Shtetit, por kjo kishte mbetur veç një tentativë.




