Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka kundërshtuar mënyrën e miratimit në lexim të parë të Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, duke pretenduar se për këtë projektligj ishte e domosdoshme shumica e dyfishtë në Kuvendin e Kosovës.

Në një intervistë me shkrim për mediumin KoSSev, Rashiq ka thënë se projektligji duhej të miratohej edhe me shumicën e votave të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, duke iu referuar nenit 81 të Kushtetutës së Kosovës.
Sipas tij, projektligji prek çështjen e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe zonave të veçanta të mbrojtura, prandaj duhet të trajtohet si ligj me interes vital.
Projektligji ishte miratuar në lexim të parë më 20 nëntor, rreth orës 02:09 të mëngjesit, me 62 vota për, tetë kundër dhe një abstenim. Kundër kishin votuar deputetët e Listës Serbe.
Rashiq ka paralajmëruar se do të propozojë amendamente, duke i cilësuar veçanërisht problematike nenet 5 dhe 6 të projektligjit. Sipas tij, këto dispozita mund të krijojnë mbivendosje të kompetencave mes Inspektoratit të ri dhe institucioneve ekzistuese.
Ai ka kërkuar gjithashtu që në procesin e mëtejmë të përfshihen përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, me arsyetimin se ligji mund të ndikojë në mekanizmat aktualë të mbrojtjes së objekteve të saj.
Në intervistë, Rashiq është pyetur edhe për deklaratat e deputetit të Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, gjatë debatit parlamentar të 19 dhe 20 nëntorit, lidhur me përkatësinë e trashëgimisë ortodokse në Kosovë.
Rexhaj kishte kundërshtuar pretendimet për karakterin ekskluzivisht serb të trashëgimisë ortodokse, ndërsa gjatë debatit kishte deklaruar se kishat ortodokse ishin përdorur si kazamate dhe bunkerë për eliminimin e shqiptarëve.
Rashiq i ka cilësuar këto deklarata si të papërshtatshme, duke thënë se ia ka përcjellë shqetësimin edhe udhëheqjes së ngushtë të Vetëvendosjes. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi





