Raporti i KE-së, Kurti: Nuk pasqyrohet progresi që kemi bërë në procesin e anëtarësimit
04 nëntor 2026 • 19:08
Raporti i KE-së, Kurti: Nuk pasqyrohet progresi që kemi bërë në procesin e anëtarësimit
LAJME
04 nëntor 2026 • 19:08
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim, duke vlerësuar se pozita aktuale e vendit në procesin e integrimit evropian nuk e pasqyron progresin e arritur.
Kurti ka deklaruar se Kosova meriton të avancojë në fazën e ardhshme të integrimit evropian dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE.
Ai ka rikujtuar se së shpejti bëhen katër vjet nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa vendi vazhdon të jetë i vetmi në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka marrë statusin e kandidatit.
“Përkundër kësaj, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat”, ka thënë Kurti.
Gjatë adresimit të tij, kryeministri i është drejtuar ambasadorit të BE-së, Dirk Schuebel, duke kërkuar që pyetësori lidhur me aplikimin e Kosovës të dorëzohet sa më parë, në mënyrë që të hapet rruga për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ambasador, më lejoni ta ripërsëris kërkesën tonë për dorëzimin sa më parë të pyetësorit për aplikimin tonë, që t’i hapet rruga hapjes së negociatave”, ka deklaruar Kurti.