Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se vendi i tij ka qartësi të plotë për objektivat e vitit 2027, të cilin e ka cilësuar si vit të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian.
Duke folur, në konferencën per media, për rezultatet e bashkëpunimit rajonal dhe zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, Rama ka përmendur kursimet për qytetarët dhe bizneset shqiptare nga integrimi në sistemin e përbashkët evropian të pagesave, si dhe negociatat për uljen e tarifave të roaming-ut.

Ai ka thënë se vetëm nga integrimi në sistemin e përbashkët të pagesave janë kursyer 20 milionë euro, të cilat, sipas tij, në të kundërtën do të përfundonin si tarifa në bankat evropiane.
Rama ka bërë të ditur se negociatat për reduktimin e tarifave të roaming-ut kanë nisur në tetor, ndërsa synimi është që qytetarët shqiptarë të përfitojnë tarifa më të ulëta gjatë vitit 2027.
Kreu i qeverisë shqiptare ka folur edhe për investimet, inovacionin dhe ndërlidhjen infrastrukturore e energjetike të vendeve të rajonit, duke vlerësuar se këto fusha janë thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e bashkëpunimit.
Ai ka theksuar se integrimi rajonal duhet të ecë paralelisht me integrimin në tregun evropian, pasi, sipas tij, pengesat në bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të kufizojnë potencialin ekonomik të rajonit.
Duke iu referuar turizmit, Rama ka përmendur vështirësitë që hasin grupet turistike për të vizituar disa vende të rajonit gjatë të njëjtit udhëtim, për shkak të procedurave kufitare dhe çështjeve të vizave.
Rama ka thënë se Shqipëria nuk do të kërkojë trajtim të veçantë në procesin e integrimit evropian, por do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj.
“Ne nuk kërkojmë absolutisht asnjë dhuratë, nuk kërkojmë asnjë bypass, nuk kërkojmë asnjë mbyllje të syve. Ne kërkojmë vetëm të marrim maksimumin e detyrave dhe t’i plotësojmë ato në maksimum”, ka deklaruar Rama.
Ai ka shtuar se përmbushja e detyrimeve për anëtarësim në BE nënkupton edhe modernizimin e vendit dhe forcimin e institucioneve.
“Çdo detyrë e kryer në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Evropian është një detyrë e kryer në funksion të modernizimit të Shqipërisë”, ka thënë ai.
Rama ka përmendur gjithashtu deklaratën e komisioneres evropiane Marta, sipas së cilës viti 2027 do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin Evropian, duke thënë se qeveria e tij do të angazhohet për përmbushjen e të gjitha detyrave që lidhen me procesin e integrimit.
Burimi: RTKLive




