Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur sot thirrjen për dialog ndaj qytetarëve që protestojnë kundër pushtetit aktual.

Ai sërish në disa gurë para kryeminstrisë dhe mbi jastëk të kuq vendosi mbishkrimin “Dialog”, duke theksuar gatishmërinë për t’u ulur në tryezë me këdo që beson se përmes dialogut mund të përmirësohet Shqipëria.
Rama u shpreh se ftesa për dialog mbetet e hapur në çdo kohë dhe në çdo vend, duke nënvizuar se dallimet politike dhe pikëpamjet e kundërta nuk duhet të pengojnë komunikimin mes palëve.
“Përsëri e përsëri ftesa për dialog dhe gatishmëri për të qenë për këdo qoftë që kërkon dhe beson në dialog është këtu. Jam i gatshëm kudo qoftë, në çdo vend, në çdo orë, me ata që besojnë që Shqipëria duhet të bëhet më e mirë dhe bëhet më e mirë me njerëzillëk, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme”, deklaroi kryeministri.
Megjithatë, krahas thirrjes për dialog, kreu i qeverisë mbajti një qëndrim të ashpër ndaj asaj që e cilësoi si kundërshti të dhunshme dhe përpjekje për të imponuar ndryshime përmes forcës. Sipas tij, përballja politike duhet të zhvillohet përmes argumenteve dhe shkëmbimit të pikëpamjeve, dhe jo përmes dhunës.
Në deklaratën e tij, Rama akuzoi persona të përfshirë në protestë se kanë marrë peng kryeqytetin dhe kanë nxitur tensione, duke pretenduar se veprimet e tyre janë kryer në emër të studentëve, përcjell Telegrafi.
Ai paralajmëroi se personat që kanë shkelur ligjin do të përballen me përgjegjësi ligjore dhe penale, në varësi të shkallës së shkeljeve të kryera.
“Kush e mori peng kryeqytetin duke eksportuar terrorin e anarkisë dhe duke bërë këtu lojën e të tjerëve në emër të studentëve dhe duke u vënë në ballë të studentëve me fytyrën e mbuluar duhet ta dijë që do të përgjigjet ligjërisht, penalisht, sipas shkallës së shkeljes së bërë”, u shpreh Rama.
Kryeministri e cilësoi të papranueshme përpjekjen për t’iu imponuar shoqërisë përmes dhunës, duke theksuar se qytetarët duhet të kenë mundësinë të vijojnë jetën e tyre të përditshme pa u përballur me akte të tilla.
Rama po ashtu theksoi se, sipas tij, përpjekjet për të ndryshuar drejtimin e vendit përmes dhunës nuk do të kenë sukses. Ai u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë rrugën e saj, duke iu referuar edhe figurave historike të Ismail Qemalit dhe Skënderbeut.
“Keqkuptim shumë i madh që do të kthehet në një mësim të rëndësishëm për këdo besoi se përmes këtij keqkuptimi do të ndryshonte rrugën e Shqipërisë. Rruga e Shqipërisë nuk ndryshon, Shqipëria do të vazhdojë drejt dhe Shqipëria do të çojë atje në majën e ëndërruar flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut”, përfundoi kryeministri. /Telegrafi/




