Në një video të publikuar në rrjetet sociale, në rubrikën e tij të përditshme “Mirëmëngjes”, shfaqet një bllok i madh me mbishkrimin “DIALOG”, i vendosur në hyrje të institucionit.
Përmes këtij gjesti simbolik, Rama vijon të ftojë protestuesit për bisedime, me synimin për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut.

Nga ana tjetër, protestuesit mbajnë të pandryshuar qëndrimin e tyre, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit si kusht për çdo proces negociatash. Pak ditë më parë, karriget e kuqe të vendosura para Kryeministrisë u hoqën dhe u dëmtuan nga protestuesit.
Protestat në Shqipëri vijojnë prej ditësh, me pjesëmarrjen e studentëve, pedagogëve dhe grupeve të tjera mbështetëse.
Ndërkohë, për sot në orën 14:00 është paralajmëruar një tjetër tubim në Tiranë, ku pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të mjekësisë dhe biznesit të vogël.
Përplasja mes thirrjes së qeverisë për dialog dhe kërkesës së protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit vijon të mbetet në qendër të zhvillimeve politike në vend.
Burimi: RTKLive




