Kryeministri Edi Rama përsëriti sot ftesën për dialog ndaj studentëve dhe pedagogëve që vijojnë protestën, duke shprehur gatishmërinë e qeverisë për të shqyrtuar propozimet e tyre dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura.
Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga sofra e gurtë e vendosur përpara godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur mbishkrimi “Dialog”.

Megjithatë, protestuesit deri më tani e kanë refuzuar ftesën e kryeministrit, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe duke paralajmëruar vijimin e protestës.
Në deklarimet e tij të mëparshme, Rama është shprehur i gatshëm të shqyrtojë çdo propozim të paraqitur nga studentët dhe pedagogët, ndërsa ka bërë të ditur se qeveria po përgatit një paketë masash për adresimin e nevojave të tyre.
Sipas kryeministrit, qëllimi është që dëgjimi i shqetësimeve të qytetarëve të përkthehet në vendimmarrje dhe mbështetje konkrete.
Edhe buxheti i vitit 2027, sipas Ramës, parashikon masa shtesë në mbështetje të familjeve, shërbimeve publike dhe studentëve.
Ndërkohë, kryeministri ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të nxitur terror urban, përçarje fetare apo për të cenuar traditën e tolerancës dhe harmonisë në Shqipëri do të përballet me përgjegjësi.
Burimi: RTKLive




