Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur shqetësimin për pamjet e nxënësve që vandalizuan monumentin e librit ‘Lahuta e Malsisë’ të Gjergj Fishtës, duke thënë se kjo ngjarje ngre pikëpyetje për njohuritë e të rinjve mbi kulturën dhe historinë shqiptare.
Gjatë një takimi me drejtuesit e gjimnazeve të Tiranës në Ministrinë e Arsimit, Rama tha se veprimi i një grupi adoleshentësh ndaj librit të Fishtës është shqetësues përtej dëmtimit të një vepre me rëndësi kulturore.

“Kur kam parë dje pamje e nxënësve që vandalizonin librin e Gjergj Fishtës nuk kam hasur asnjë ndjesi tjetër përveç shqetësimit të madh që shkon përtej faktit se një grusht adoleshentësh po dhunonin një simbol aq kuptimplotë të kulturës dhe historisë së vendit tonë”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se, sipas tij, ky veprim tregon se të rinjtë mund të mos kenë njohuri të mjaftueshme për figurat e rëndësishme të historisë dhe kulturës kombëtare.
“Kjo do të thotë se sipas meje, ata nuk e dinë kush është Fishta. Është momenti që të gjithë ne të reflektojmë në këtë padije dramatike”, u shpreh kryeministri.
Rama e lidhi këtë shqetësim edhe me ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët, duke përmendur veçanërisht TikTok-un. Sipas tij, algoritmet e platformave mund të ndikojnë në sjelljen e të rinjve dhe t’i largojnë ata nga realiteti.
“Jemi në një front të përbashkët për të kompensuar mesazhet që fëmijët marrin nga Tik-Tok, ku ata mendojnë se shënjestrojnë, por ata algoritmi i shënjestron njësoj si rrjetet e drogës që përzgjedhin dhe i çojnë te varësia që i ndan nga realiteti”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se, pavarësisht këtij shqetësimi, pjesa më e madhe e nxënësve, sipas tij, nuk përfshihet në këto sjellje, por paralajmëroi se grupi që shfaq prirje të tilla përbën një problem që kërkon vëmendje.
“Lavdi Zotit pjesa më e madhe e nxënësve është e shëndoshë, por kjo pjesë që është shkëputur, është rrezik aktual me të cilin duhet të përballemi”, tha Rama.
Burimi: Dukagjini




