Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur edhe këtë të shtunë, më 31 tetor, thirrjen drejtuar studentëve protestues për t’u ulur në dialog me qeverinë, ndërsa protestat kundër tij po vazhdojnë prej më shumë se dy javësh.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Rama, duke iu referuar “Sofrës së Gurtë”, u ka bërë thirrje studentëve që të ulen në tryezën e diskutimeve për të shqyrtuar kërkesat e tyre lidhur me arsimin dhe për të gjetur zgjidhje për shqetësimet e ngritura.
Kreu i qeverisë ka përsëritur kështu gatishmërinë për dialog, duke kërkuar që kërkesat e studentëve të diskutohen përmes komunikimit me përfaqësuesit e qeverisë.
Megjithatë, studentët kanë refuzuar deri më tani ftesat e përsëritura të Ramës për bisedime, duke vazhduar protestat dhe duke këmbëngulur në kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit.
Tubimet kundër qeverisë po mbahen prej më shumë se dy javësh, ndërsa deri më tani nuk ka pasur një marrëveshje për nisjen e dialogut mes palëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




