Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar I Partisë Socialiste, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama solli në vëmendje momentin historik ku ndodhet vendi në raport me procesin e anëtarësimit në BE.
Sipas kryeministrit sot është momenti kur politika duhet të ngrihet mbi valët e zhurmave të ditës dhe duhet të shohë përtej tymnajës së përplasjes së radhës.

Rama tha se PS duhet të kuptojë se si duhet ushtruar përgjegjësia e drejtimit pa e humbur kthjellësinë e shikimit.
“PS duhet të kuptojë se ku ndodhet vendi pikërisht atëherë kur zhurma dhe tymi ngrihen më lart sesa zakonisht. Duhet të kuptojë se çfarë është e rëndësishme në ato që janë arritur dhe çfarë rrezikon të humbasë vendi nën presionin e zhurmës dhe pengesën e tymit”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë solli në vëmendje raportin më të fundit të Komisionit Europian, ku i rekomandohet Këshillit Europian të nisë gjatë vitit 2027, përgatitjet për të hartuar traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Në raport, KE ka shkruar një frazë që ka një rëndësi domethënëse për ecurinë e vendit në kushtet kur vendi po jeton një presion të brendshëm përmes instrumentalizimit politik të një proteste të nisur për arsye krejt të tjera dhe të degraduar në një ofensivë dhune kundër qeverisë në dukje, por ne fakt kundër mënyrës se si ne duam që Shqipëria të shkojë përpara”, shtoi Rama.
Kryeministri e konsideroi historik rekomandimin e KE-së për Shqipërinë, ndërsa shtoi se në vetvete është dhe konfirmimi më kuptimplotë dhe i padiskutueshëm, jo vetëm i faktit që vendi ecën në drejtimin e duhur, por dhe i ndodhjes së Shqipërisë në pikën e saj më të lartë në ngjitje drejt majës së bashkimit përfundimtar me familjen e shteteve dhe shoqërive europiane.
Sipas kryeministrit, nisja e përgatitjeve për të hartuar traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është një togfjalësh në raportin e KE-së që shfaqet për herë të parë në rrugëtimin europian të Shqipërisë.
“Kjo është faqja e faqja e fundit e historisë që po e shkruajmë ne, PS, me besimin e shumicës së shqiptarëve. Ishte e paarritshme deri dje, por sot është e prekshme. Nuk është më një premtim që përsëritet nga njëra fushatë në tjetrën nga të gjitha forcat politike. Sot Europa është e prekshme me sy përmes vetë gishtit të Komisionit Europian, që tregon se ky është momenti për të nisur përgatitje për traktatin historik që do ta bëjë Shqipërinë anëtare në BE”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se në këtë moment historik nuk mund të mos mbledhim të gjitha mendjet, vullnetet dhe energjitë tona për ta bërë realitet edhe këtë faqe të fundit të një libri që ka nisur të shkruhet që kur nuk mbahet mend.
“E gjetëm në fund të një kapitulli që ishte si një libër borxhesh në të gjithë sektorët. Me dështime, me kërcënimin e një kolapsi financiar të menjëhershëm dhe mungesën e shpresës që Shqipëria mund të bëhej ndonjëherë shtet europian. Në vitin 2013 njerëzit kërkonin gjëra krejt elementare. Kur ne filluam reformën e energjisë, Shqipëria filloi të zgjohej me ndjesinë që kishte filluar një faqe e re e shtetbërjes”, shtoi Rama.
Ndërkohë kryeministri solli në vëmendje edhe sfidën e reformës në drejtësi.
“Janë vite reformash, përplasjesh, përpjekjesh si për shembull ajo e reformës në drejtësi, përplasje me interesa të rrënjosura që tek drejtësia kishin atë sintezën e vet më të neveritshme. Vite ndryshimesh që dukeshin krejt të pamundura”, shtoi Rama.
Burimi: RTKLive





