Deputetja shqiptare në Zvicër, Osmani, në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ka folur për sfidat me të cilat është përballur komuniteti shqiptar ndër vite, paragjykimet dhe racizmin në këtë shtet, si dhe rëndësinë e përfaqësimit politik të shqiptarëve në institucionet zvicerane.

Ajo, ka deklaruar se ka pasur periudha kur ka hezituar të tregojë përkatësinë e saj shqiptare, për shkak të fushatave diskriminuese, racizmit dhe paragjykimeve ndaj shqiptarëve, shkruan Telegrafi.
Ajo ka thënë se disa parti politike në Zvicër kanë shfrytëzuar rastet e krimeve të kryera nga individë shqiptarë për të krijuar një imazh negativ për të gjithë komunitetin.
“Ka pas një kohë në Zvicër që shqiptarët kanë bërë krime, është e vërtetë. Edhe kanë dalë publikisht edhe partitë i kanë keqpërdorur për t’i diskriminuar gjithë shqiptarët në këtë vend. Ka pas kohë që unë vetë kam hezituar të tregoj se jam shqiptare, për shkak të këtyre kampanjave, urrejtjes dhe racizmit që kanë ndodhur”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka theksuar se veprimet e individëve nuk duhet të përdoren për të paragjykuar një komunitet të tërë.
Duke folur për angazhimin e saj në politikë, Osmani ka thënë se një ndër arsyet që e kanë shtyrë të hyjë në këtë fushë ka qenë mungesa e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet politike në Zvicër.
Ajo ka bërë të ditur se para se të zgjidhej asambliste në vitin 2024, shqiptarët nuk kishin pasur përfaqësues në atë pozitë në qytetin e Bernës.
“Është duket pak e tmerrshme se i kena gjenerata këtu që jetojmë dhe jemi shumë të suksesshëm, edhe nuk kemi pas njeri që na përfaqëson në politikë”, është shprehur deputetja shqiptare.
Osmani ka vlerësuar se përfaqësimi politik i shqiptarëve është i domosdoshëm, në mënyrë që komuniteti të ketë zërin e tij në institucionet vendimmarrëse të Zvicrës./Telegrafi/




