Blenda Asllani nga OJQ QIKA tha se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, kishte ndjekur procedurat ligjore, kishte siguruar urdhër mbrojtjeje dhe kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun që i kanosej. Megjithatë, sipas saj, pavarësisht këtyre veprimeve, ajo u vra pak minuta më vonë.
“Çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha e prapë ta vrasin?”, u shpreh Asllani.

Ajo theksoi se rasti i Arlindës tregon dështimin e institucioneve për t’i mbrojtur gratë edhe kur ato kërkojnë ndihmë dhe paralajmërojnë për rrezikun. Asllani kërkoi që të gjitha hallkat institucionale përgjegjëse të hetohen dhe që personat, veprimet apo mosveprimet e të cilëve kanë kontribuar në këtë dështim, të mbahen përgjegjës para drejtësisë.
Gjatë aksionit, aktivistet hodhën ngjyrë të kuqe në shkallët e ndërtesës së Qeverisë, si simbol për jetët e humbura dhe për përgjegjësinë shtetërore.
“Shteti e vrau Arlindën, andaj shteti duhet të japë llogari”, ishte mesazhi i QIKA-s.
Asllani bëri me dije se QIKA do t’i bashkohet protestës së thirrur nga Kolektivi Feminist për të mërkurën, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë.
Ajo tha se organizata do të vazhdojë të kërkojë llogaridhënie nga shteti për neglizhencën institucionale, për të cilën u shpreh se po u kushton grave me jetë.
“Do të vazhdojmë të kërkojmë llogari nga shteti për neglizhencën institucionale, për shkak të së cilës gratë po e humbin jetën”, deklaroi Asllani.
Burimi: RTKLive




