Pushteti që mbronte Radojçiqin ra, çfarë e pret tani? – Gazetari serb tregon çfarë mund të ndryshojë me Listën Studentore

Pushteti që mbronte Radojçiqin ra, çfarë e pret tani? – Gazetari serb tregon çfarë mund të ndryshojë me Listën Studentore

Pushteti që mbronte Radojçiqin ra, çfarë e pret tani? – Gazetari serb tregon çfarë mund të ndryshojë me Listën Studentore

Milan Radojçiqi, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023, vazhdon të qëndrojë në Serbi, ndërsa Kosova ka kërkuar ekstradimin e tij për t’u përballur me drejtësinë.

Ndryshimi i mundshëm i pushtetit në Serbi ka hapur pyetjen nëse Beogradi do ta ndryshojë qasjen ndaj tij.

Sponsor 3M Express

Gazetari i gazetës serbe “Danas”, Mladen Iliq, ka vlerësuar se Lista Studentore, e cila sipas rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit ka dalë fituese, mund të ndërmarrë hapa për ndjekjen penale të Radojçiqit. Megjithatë, ai ka thënë se ende nuk dihet nëse kjo do të bëhej përmes sistemit gjyqësor serb apo përmes ekstradimit të tij në Kosovë.

Në një bisedë për Dukagjinin, Iliq ka deklaruar se nuk pret që Lista Studentore të ketë rezerva për ndërmarrjen e veprimeve ndaj tij.

“Nuk mendoj se Lista Studentore do të ketë ndonjë rezervë për Radojçiqin. Me fjalë të tjera, besoj se ata do të punojnë drejt ndjekjes së tij penale”, ka deklaruar Iliq.

Sipas gazetarit, Radojçiqi dhe Zvonko Veselinoviqi shihen gjerësisht si figura që u kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme serbëve në Kosovë, por edhe si biznesmenë që kanë krijuar pasuri përmes bashkëpunimit me qeverinë e Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

“Radojçiqi dhe Zvonko Veselinoviqi shihen gjerësisht si figura që u kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme serbëve në Kosovë dhe, në të njëjtën kohë, si biznesmenë që, pavarësisht rolit të tyre të dëmshëm në këtë kontekst, kanë arritur të ndërtojnë pasuri duke punuar së bashku me qeverinë e SNS-së”, ka thënë ai.

Megjithatë, Iliq ka theksuar se është ende herët të përcaktohet se si do të vepronte një qeveri e udhëhequr nga Lista Studentore, pasi ajo ende nuk e ka marrë zyrtarisht pushtetin.

“Është ende herët të thuhet nëse Lista Studentore, nëse do t’i jepej mundësia, do ta ndiqte penalisht Radojçiqin brenda sistemit gjyqësor serb apo do ta ekstradonte në Kosovë, duke pasur parasysh se ajo ende nuk e ka marrë zyrtarisht pushtetin”, ka deklaruar ai.

Për mundësinë e ekstradimit të Radojçiqit ka folur edhe Ilija Sërdanoviq, një nga anëtarët e Listës Studentore, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL).

I pyetur se kush do të vendosë për kërkesën e Kosovës për ekstradimin e Radojçiqit dhe nëse çështja do t’i lihet gjyqësorit, Sërdanoviq nuk ka dhënë një qëndrim përfundimtar, duke theksuar se Lista Studentore ende nuk e ka formuar Qeverinë.

“Në këtë moment nuk mund t’ju jap një vendim, madje as një qëndrim personal për këtë çështje, sepse jam vetëm një nga anëtarët e listës që ende nuk e ka formuar Qeverinë”, ka deklaruar ai.

Sërdanoviq ka shtuar se vendimet për çështje të tilla do të merren në përputhje me procedurat ligjore që vlejnë në Serbi.

“Por, sigurisht që do të përpiqemi që vendimet për të gjitha çështjet e tilla të merren më vonë, në përputhje me procedurat ligjore që vlejnë në Republikën e Serbisë”, ka thënë ai.

Ndikimi i SNS-së së Vuçiqit 

Sipas Iliqit, një prej faktorëve kryesorë që mund të përcaktojë nëse do të ketë veprime ndaj Radojçiqit është ndikimi i pushtetit të mëparshëm në institucionet e sigurisë së Serbisë, përfshirë Xhandarmërinë dhe Agjencinë e Informacionit të Sigurisë (BIA).

“Është e vështirë të thuhet, pasi institucione si Xhandarmëria dhe BIA janë ndikuar thellësisht nga qeveria e mëparshme, e cila në mënyrë efektive e ka mbrojtur Radojçiqin”, ka thënë Iliq.

Ai ka vlerësuar se ndikimi i Radojçiqit brenda këtyre institucioneve është i lidhur drejtpërdrejt me fuqinë e SNS-së, të cilën e përshkruan si strukturën politike që e ka mbrojtur atë.

“Niveli i ndikimit të tij është drejtpërdrejt proporcional me ndikimin e SNS-së, si strukturë politike që e mbron atë brenda këtyre institucioneve”, ka deklaruar gazetari.

Sipas tij, mundësia që Lista Studentore të distancohet nga Radojçiqi dhe të ndërmarrë veprime ndaj tij do të varet nga suksesi i saj në largimin e ndikimit të qeverisë së SNS-së nga institucionet shtetërore.

“Lista Studentore do të jetë në gjendje të distancohet nga ai dhe grupi i tij, si dhe të ndërmarrë veprime kundër tyre, në atë masë sa do të arrijë t’i pastrojë këto institucione nga ndikimi i qeverisë së SNS-së, pasi ta marrë zyrtarisht pushtetin”, ka thënë Iliq.

Shkëputja nga politikat e Vuçiqit

Duke folur për mundësinë që Lista Studentore të sjellë ndryshim të mirëfilltë politik në Serbi, Iliq ka thënë se lëvizja është ndërtuar mbi synimin për ndryshime strukturore dhe sistemike dhe për shkëputje nga mënyra e qeverisjes së Vuçiqit.

Ai ka përmendur korrupsionin, punësimet mbi baza partiake, mungesën e transparencës dhe problemet me lirinë e mediave si disa nga çështjet kryesore me të cilat Lista Studentore synon të merret.

“Duket se kjo fitore përfaqëson një shkëputje të vërtetë. Natyrisht, kjo varet nga fusha e politikave për të cilën po flasim, por e gjithë lëvizja u ndërtua mbi idenë se politika serbe ka nevojë për ndryshime strukturore dhe sistemike dhe se kjo, të paktën formalisht, nënkupton shkëputjen nga politikat e Vuçiqit“, ka thënë Iliq.

Sipas tij, përdorimi i policisë për të mbrojtur persona të lidhur me krimin, përfshirë Radojçiqin, është një tjetër çështje që ka nxitur kritika ndaj pushtetit të mëparshëm.

“Kandidatët e Listës Studentore, disa prej të cilëve së shpejti do të bëhen deputetë, kanë deklaruar shprehimisht se nuk do të vendosin sanksione ndaj Rusisë, por se do të hapin një debat të gjerë publik për këtë çështje. Kjo mund të interpretohet si një formë vazhdimësie e politikës së Vuçiqit, por dallimi kryesor qëndron te zotimi për të hapur debatin publik dhe për t’u mundësuar qytetarëve që të vendosin.

Megjithatë, lëvizja është përqendruar shumë më tepër te çështjet e brendshme, si korrupsioni, që shihet si shkaku kryesor i shembjes së tendës në Novi Sad dhe i fillimit të protestave; përdorimi i policisë për të mbrojtur kriminelët, nga bosët e drogës deri te Milan Radojçiqi; si dhe çështje më të zakonshme, si punësimet mbi baza partiake, transparenca në sektorë të ndryshëm dhe liria e mediave”, ka deklaruar Iliq.

Qëndrimi ndaj Kosovës

Duke folur për qëndrimin e mundshëm të Listës Studentore ndaj Kosovës, Iliq ka thënë se kritika e saj ndaj Vuçiqit përqendrohet kryesisht te gjendja e serbëve që jetojnë në Kosovë, e jo vetëm te marrëdhëniet e Beogradit me Prishtinën.

“Kur flasim për qëndrimin e Listës Studentore ndaj Kosovës, fokusi është më shumë te gjendja e serbëve në Kosovë sesa te marrëdhëniet me autoritetet në Prishtinë. Politika e Vuçiqit ka qenë katastrofike për serbët e Kosovës dhe kjo është linja kryesore e kritikës që vjen nga Lista Studentore”, ka deklaruar ai.

Më tutje, gazetari ka shpjeguar se brenda lëvizjes studentore dhe Listës Studentore ekzistojnë qëndrime të ndryshme për statusin e Kosovës. Ai ka theksuar se këto dy struktura duhet të dallohen: lëvizja studentore përbëhet nga studentët e organizuar në plenume, të cilat kanë zgjedhur kandidatët për deputetë, ndërsa Lista Studentore është lista zgjedhore.

Sipas tij, disa vazhdojnë ta konsiderojnë Kosovën pjesë të Serbisë dhe besojnë se Beogradi një ditë do ta rikthejë kontrollin efektiv mbi të. Të tjerë e pranojnë realitetin në terren dhe janë të vetëdijshëm se shteti serb nuk ka rol në strukturat kryesore administrative dhe të sigurisë në Kosovë.

“Për ta përsëritur, Lista Studentore është një forcë politike që do të përpiqet ta reformojë shoqërinë dhe shtetin në atë masë sa qytetarët të mund të marrin vendime për çështje të rëndësishme. Këtu përfshihet edhe qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës.

Megjithatë, disa kandidatë të Listës Studentore për deputetë kanë deklaruar se do ta vazhdojnë dialogun me Prishtinën, por edhe se do t’i shqyrtojnë nga afër të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga regjimi i Vuçiqit, për të vlerësuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë. Masat e tjera të paralajmëruara kanë të bëjnë më shumë me gjendjen e serbëve në Kosovë sesa me çështjen e pavarësisë së Kosovës apo marrëdhëniet me Prishtinën“

Pritje për ulje të tensioneve në rajon

I pyetur se si mund të ndikojë ndryshimi politik në marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi, Iliq ka vlerësuar se ndikimi pritet të jetë kryesisht pozitiv.

Ai ka thënë se pret më pak retorikë nxitëse, të ngjashme me atë që e ka karakterizuar komunikimin e Vuçiqit për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.

“Përsëri, shpesh ekziston një shkallë paqartësie në mënyrën se si trajtohen këto çështje. Megjithatë, nga këndvështrimi i një qytetari serb, mendoj se kjo paqartësi mund të jetë e nevojshme për të mobilizuar publikun dhe për t’i nxitur njerëzit që të fillojnë të trajtojnë çështje të rëndësishme të brendshme dhe rajonale, të cilat pas vitesh të qeverisjes së SNS-së jo vetëm që kanë mbetur të pazgjidhura, por shpesh as nuk janë diskutuar hapur dhe në mënyrë domethënëse.

Kjo është pjesërisht pasojë e faktit se Lista Studentore është një forcë politike gjithëpërfshirëse, e krijuar për t’i dhënë fund regjimit të Vuçiqit, ndërsa anëtarët e saj kanë pikëpamje diametralisht të kundërta për pothuajse të gjitha çështjet kryesore politike.

Për ta përmbyllur, nuk mendoj se Lista Studentore do t’i zgjidhë të gjitha çështjet e mëdha të pazgjidhura, veçanërisht ato që lidhen me politikën e jashtme dhe marrëdhëniet rajonale. Megjithatë, besoj se do të shkëputet nga praktikat politike të regjimit të Vuçiqit dhe do të sjellë ndryshimet e nevojshme për trajtimin më efektiv të këtyre çështjeve në të ardhmen“, ka theksuar Iliq.

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Gërvalla për protestat: Nuk janë kundër nesh, janë me Arlindën

Gërvalla për protestat: Nuk janë kundër nesh, janë me Arlindën

Platforma “Super Puna” jashtë funksionit, qytetarët nuk po mund të aplikojnë

Platforma “Super Puna” jashtë funksionit, qytetarët nuk po mund të aplikojnë

Protestuesit largohen nga Qeveria dhe nisen drejt Pejës, kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn

Protestuesit largohen nga Qeveria dhe nisen drejt Pejës, kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn