Lamine Yamal shihet si favorit për ta fituar Topin e Artë të këtij viti, duke pasur përparësi ndaj sulmuesit të Bayern Munichut, Harry Kane, sipas disa treguesve historikë që lidhen me fituesit e çmimit prestigjioz.

Ceremonia e ndarjes së çmimit pritet të mbahet në Londër më 26 tetor, ndërsa Yamal synon të bëhet futbollisti më i ri në histori që e fiton këtë trofe. Ylli i Barcelonës vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm, në të cilin ndihmoi klubin katalunas të fitonte dy trofe vendorë, ndërsa me Spanjën triumfoi në Kupën e Botës, duke i dhënë fund pritjes 16-vjeçare të përfaqësueses për këtë sukses.
Në anën tjetër, Harry Kane synon të bëhet anglezi i parë që nga Michael Owen, në vitin 2001, që e fiton Topin e Artë. Sulmuesi i Bayern Munichut ka realizuar plot 73 gola në 65 ndeshje, nga gushti i vitit 2025 deri në korrik të vitit 2026, ndërsa ka fituar edhe Bundesligën.
Megjithatë, statistikat historike duket se favorizojnë Yamalin. Sipas të dhënave të publikuara, fituesit e Topit të Artë që nga viti 2000, 64 për qind kanë luajtur në La Liga, 76 për qind kanë qenë sulmues, ndërsa 80 për qind kanë fituar ligën vendore, Ligën e Kampionëve ose Kupën e Botës gjatë sezonit përkatës.
Nga 30 futbollistët e nominuar për çmimin e këtij viti, Yamal është i vetmi që i plotëson të tria këto kritere. Kane, si sulmues që ka fituar Bundesligën, përmbush dy prej tyre.
Historia e Topit të Artë tregon se trofetë e mëdhenj shpesh kanë ndikuar në përcaktimin e fituesit, përkundër faktit se çmimi vlerëson para së gjithash paraqitjet individuale. Ousmane Dembele e fitoi edicionin e vitit 2025 pasi udhëhoqi Paris Saint-Germainin drejt tripletës historike dhe regjistroi 35 gola e 16 asistime gjatë sezonit 2024/25.
Një vit më parë, Rodri përfitoi nga sezoni triumfues me Manchester Cityn, por edhe nga roli i tij në suksesin e Spanjës në Euro 2024. Ndërsa Lionel Messi, pas triumfit në Kupën e Botës 2022 me Argjentinën, fitoi Topin e Artë për herë të tetë në vitin 2023.
Këta shembuj e forcojnë argumentin në favor të Yamalit, i cili, sipas artikullit, ka përparësi falë trofeve të fituar me Barcelonën dhe Spanjën. Ndërkohë, Anglia e Kane u eliminua nga Argjentina në gjysmëfinale të Kupës së Botës./Telegrafi/




