Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar drejt Qeverisë së Kosovës.
“Duam shkarkime, duam burgime…”

Kërkesat e protestuesve tashmë nuk kufizohen vetëm në dorëheqje politike. Ata kërkojnë shkarkimin e zyrtarëve që kanë qenë të përfshirë në trajtimin e rastit, hetim të plotë dhe ndjekje penale për të gjithë ata që dyshohet se kanë neglizhuar thirrjet e Arlindës për ndihmë.
“Shkarkimi i ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme! Kërkojmë që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare! Kërkojmë sigurim të banimit social për të mbijetuarat e dhunës familjare!”, ka thënë Rozafa Maliqi-aktiviste.
Qytetarët kanë vazhduar marshimin edhe para Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Për protestuesit, rasti i Arlindës nuk është vetëm kërkesë për drejtësi për një viktimë, por edhe kërkesë për ndryshim të mënyrës se si institucionet reagojnë ndaj dhunës në familje dhe mbrojnë jetën e grave.
Për të vazhduar te Policia e Kosovës. Aty hodhën mjete tymuese me ngjyrë.
Protestat për drejtësi për Arlinda Zekajn janë zgjeruar edhe në Pejë e Mitrovicë, ku qytetarët kanë marshuar para institucioneve përgjegjëse. Kolektivi Feminist ka paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, deri në përmbushjen e kërkesave.
Burimi: RTKLive




