Protestat në Prishtinë kundër institucioneve pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj do të vazhdojnë edhe të shtunën. Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta e radhës do të mbahet nga ora 17:00, me kërkesën që institucionet të japin llogari për dështimet që paraprinë vrasjen e saj.

Përmes një njoftimi publik, Kolektivi ka bërë të ditur se tubimi do të nisë në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga protestuesit do të marshojnë drejt Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre dhe deri në marrjen e përgjegjësisë institucionale.
“PROTESTA KOMBËTARE VAZHDON! Të shtunën në orën 17:00 mblidhemi prapë për ta vazhduar luftën tonë për drejtësi për Arlindën dhe për të gjitha gratë e vrara. Nesër, pasnesër e çdo ditë që vijon do t´i mbushim rrugët dhe sheshet e do t´i bllokojmë institucionet deri kur çdo kërkesë e jona të plotësohet. Zëri ynë do të dëgjohet. Shteti do të jap llogari. Mblidhemi tek sheshi Zahir Pajaziti për të vazhduar pastaj së bashku drejt Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Dilni nga shtëpitë e bashkohuni”, thuhet në mesazhin e Kolektivit.
Protestat në Prishtinë po mbahen tash e tri ditë, ndërsa qytetarët po kërkojnë dorëheqjen ose shkarkimin e ministrave të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme. Gjatë protestës së së premtes, kërkesat u zgjeruan edhe ndaj sistemit të drejtësisë, me thirrje për shkarkime në gjyqësor.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor. Për vrasjen e saj është arrestuar si i dyshuar ish-kunati, Albert Sylaj.
Ndërkohë, ditën e vrasjes, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, ishte ndaluar nga organet e rendit, pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës. Vetëm tri ditë para se të vritej, 49-vjeçarja i kishte dërguar letër kryeprokurores së Pejës, duke e paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Pas rastit, janë suspenduar kryeprokurorja e Pejës, një prokurore dhe 11 zyrtarë policorë. Ndërkaq, drejtori i Policisë ka dhënë dorëheqje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




