Mijëra nxënës, studentë dhe mësues dolën të mërkurën në rrugët e qyteteve të Greqisë, duke kërkuar më shumë financim nga shteti për arsimin, kushte më të mira në shkolla dhe klasa më pak të mbipopulluara.
Protestat u zhvilluan në të njëjtën linjë me demonstratat në vende të tjera evropiane, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.

Sipas policisë, rreth 10 mijë protestues, përfshirë nxënës dhe studentë universitarë, u mblodhën në mënyrë paqësore në qendër të Athinës dhe në zonat përreth saj. Tubime të tjera u zhvilluan edhe në qytete të ndryshme të vendit.
Protestuesit shprehën solidaritetin e tyre me lëvizjet në rritje në Francë dhe vende të tjera të Evropës, ku qytetarët po kundërshtojnë rritjen e kostos së jetesës dhe kushtet e përkeqësuara në institucionet arsimore.
Ata kërkuan investime më të mëdha në arsim, përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe krijimin e kushteve më të përshtatshme për mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Burimi: Dukagjini




