Një nismë e re gjermane e të rinjve publikoi një letër të hapur, në të cilën parashtron kërkesat drejtuar kancelarit Friedrich Merz, në prag të demonstratave mbarëkombëtare të planifikuara për të protestuar kundër politikave të qeverisë.

“Nuk mund të rrimë më duarkryq duke parë se si ju e vini në lojë të ardhmen tonë. Politikat tuaja të shtrëngimit ekonomik po na e heqin çdo shpresë”, deklaroi grupi “Gen Z Regelt” (Gjenerata Z merr situatën në dorë) në letër.
Grupi i studentëve kritikoi shkurtimet në shpenzimet sociale, mënyrën se si qeveria po e trajton krizën klimatike, dështimin e saj për t’iu përgjigjur shqetësimeve të të rinjve lidhur me luftërat dhe konfliktet si dhe planet për të rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
“E gjithë kjo ndodh ndërsa ju refuzoni të na dëgjoni, nuk i merrni seriozisht frikërat tona dhe nuk i merrni parasysh kundërshtimet tona. Na erdhi në majë të hundës!”, theksoi grupi duke vazhduar: “Politikat tuaja po e çojnë të ardhmen tonë drejt një rruge pa krye”.
“Prandaj, më 31 tetor, ne do të dalim në rrugë në më shumë se 20 qytete, në mënyrë paqësore, me zë të lartë dhe me vendosmëri”, thekson letra.
Kjo nismë, e përbërë nga nxënës të shkollave të mesme, studentë universitarë, praktikantë dhe profesionistë të rinj, po planifikon protesta të mëdha në Berlin, Hamburg, Mynih, Frankfurt dhe Këln (Cologne) ndërsa protesta të tjera janë parashikuar në 27 qytete të tjera.
Sipas organizatorëve, mbi 150 mijë njerëz janë regjistruar tashmë në internet.
Grupi i të rinjve tha se marshimet do të jenë paqësore.
Kërkesat e tyre drejtuar kancelarit Merz dhe qeverisë së tij të koalicionit përfshijnë “para për shkollat në vend të shkurtimeve” dhe “një jetë të përballueshme”, duke i vendosur shqetësimet e njerëzve në krye të agjendës.
Ata bënë thirrje për një shpërndarje më të drejtë të barrës “në vend të kursimeve në kurriz të brezit të ri”, një “jo” e prerë ndaj shërbimit të detyrueshëm ushtarak, mbrojtje më të fortë të të drejtave themelore “në vend të zgjerimit të mbikëqyrjes” si dhe masa serioze për mbrojtjen e klimës, në mënyrë që të rinjtë të mund të kenë një të ardhme. /AA/




