Dita e trembëdhjetë e protestave në Tiranë, më 25 tetor, është shoqëruar me tensione dhe veprime simbolike të protestuesve, të cilët kanë vijuar të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit janë mbledhur fillimisht pranë Ministrisë së Arsimit, prej nga kanë marshuar drejt Kryeministrisë, duke vijuar tubimet që kanë nisur më 13 tetor.
Një nga momentet që ka shënuar protestën e së dielës ishte djegia e karrigeve që kryeministri Rama kishte vendosur përpara godinës qeveritare si ftesë për dialog me protestuesit.
Karriget, të vendosura në kuadër të nismës së prezantuar më 20 tetor, janë përfshirë nga flakët, duke simbolizuar refuzimin e vazhdueshëm të protestuesve për t’u ulur në bisedime me kreun e qeverisë.
Protesta e 25 tetorit u zhvillua vetëm disa orë pasi Rama njoftoi masa të reja për frenimin e dhunës gjatë tubimeve.
Prej nisjes së protestave, kryeqyteti shqiptar është përballur me përplasje të përsëritura mes protestuesve dhe policisë, gjatë të cilave janë përdorur gurë, mjete piroteknike dhe koktej molotovi, ndërsa forcat e rendit kanë ndërhyrë me gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome.
Një nga ngjarjet më të rënda të këtyre protestave ishte plagosja në sy e një 28-vjeçari gjatë tubimit të 24 tetorit, për të cilin autoritetet kanë nisur hetime.
Protestat, që fillimisht nisën për shkak të pakënaqësive me sistemin arsimor, mungesën e vendeve të punës dhe korrupsionin e perceptuar në qeverisje, tashmë janë përqendruar te kërkesa për dorëheqjen e Ramës.
Kryeministri, nga ana tjetër, ka refuzuar të largohet nga detyra, duke vijuar të ofrojë dialog.
Përmes fotografive të protestës së 25 tetorit, pasqyrohen momentet kryesore të ditës së trembëdhjetë të tubimeve në Tiranë, nga marshimi i protestuesve drejt Kryeministrisë deri te djegia e karrigeve të vendosura për dialog dhe përmbyllja e një tjetër dite protestash në kryeqytetin shqiptar.
Foto/ LSA



















