Sipas sqarimit të Prokurorisë, pas shqyrtimit të parashtresës, Kryeprokurorja ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent, me qëllim të vlerësimit të pretendimeve për përgjegjësi penale, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria ka bërë të ditur se parashtresa u është përcjellë për trajtim urgjent edhe Policisë Rajonale në Pejë, Gjykatës Themelore në Pejë, Drejtorisë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrës për Punë Sociale, me kërkesën që të shqyrtohen pretendimet dhe të verifikohen lëshimet eventuale të zyrtarëve brenda përgjegjësive të tyre.

Lidhur me kërkesën e viktimës për zbatimin e vendimit gjyqësor që kishte të bënte me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria ka njoftuar se ekzekutimi i vendimit është mundësuar nga prokurorja kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Në fund, Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se rrethanat e rastit dhe veprimet e institucioneve përkatëse do të trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm, në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa familjes së viktimës i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta.
Burimi: RTKLive




