Sociologia Dhurata Prokshi ka vlerësuar se numri i grave të vrara dëshmon për probleme serioze në trajtimin e dhunës në familje dhe në zbatimin e parimit të barazisë gjinore në Kosovë.
Ajo ka thënë se problematika nis në familje dhe në edukimin familjar, për të vazhduar më pas në shkolla dhe në institucionet përgjegjëse.

Duke folur në RTK Prime, për rastin e fundit të vrasjes së një gruaje, Prokshi ka theksuar se është veçanërisht shqetësuese që, pavarësisht arsimimit, vetëdijesimit dhe masave që viktima kishte ndërmarrë për të kërkuar mbrojtje, ajo nuk arriti të shpëtonte.
Sipas saj, rasti nxjerr në pah edhe mungesën e reagimit të duhur nga institucionet me të cilat viktima ishte përballur vazhdimisht.
Prokshi ka kritikuar gjithashtu qasjen e disa punonjësve institucionalë, të cilët, sipas saj, ndihmën ndaj qytetarëve e paraqesin si gjest njerëzillëku dhe jo si detyrim profesional.
Burimi: RTKLive




