Pesë ofrues të arsimit dhe aftësimit profesional morën grante për trajnime në vendin e punës të krijuara në bashkëpunim me kompanitë kosovare

26 Tetor, 2026, Prishtinë
Pesë projekte të reja për zhvillimin e shkathtësive nga Kosova pranuan letra për zotim investimi në një ceremoni të organizuar nga Fondi Rajonal i Sfidave (RCF) në Prishtinë. Fondi i mbështetur nga Gjermania dhe Zvicra, shpalli së fundmi aplikimet fituese në raundin e katërt të programit të tij, i cili ofron grante për trajnimet e arsimit dhe aftësimit profesional (AAP) të dizajnuara së bashku nga kompanitë dhe ofruesit e AAP-së nga rajoni i Ballkanit Perëndimor 6 (BP).
5 projektet më të suksesshme nga Kosova janë propozuar për financim në thirrjen e katërt të RCF-së, duke alokuar 2.1 milionë euro për investime në pajisje, infrastrukturë dhe trajnime në institutet e aftësimit profesional që zbatojnë trajnime bashkëpunuese. Lista e projekteve fituese është e disponueshme këtu .
RCF rrit konkurrueshmërinë e qëndrueshme të bizneseve në vendet e BP 6 në rrugën drejt tregut unik të BE-së, përmes financimit të ofruesve të AAP-së duke adresuar nevojat për aftësi në bashkëpunim me kompanitë. Në thirrjen e katërt për shprehje interesi të organizuar vitin e kaluar, RCF pranoi 187 aplikime nga konsorciumet e instituteve të aftësimit profesional dhe ndërmarrjeve nga të gjitha vendet e BP, ku nga ky numër 86 konsorciume u përzgjodhën në listën e ngushtë dhe u ftuan të paraqisnin aplikimet e plota. Në mesin e tyre ishin 17 konsorciume të institucioneve të aftësimit profesional dhe ndërmarrjeve nga Kosova.
Z. Renato Vasili, Koordinator Rajonal në RCF, përshëndeti pjesëmarrësit në ceremoninë përmbyllëse të Thirrjes së Katërt të RCF në Kosovë. Ai theksoi se Thirrja e Katërt tërhoqi interes të madh në gjithë Ballkanin Perëndimor, ku u përzgjodhën 38 konsorciume. Pesë prej tyre janë në Kosovë dhe do të marrin grante prej rreth 2,1 milionë euro për të aftësuar më shumë se 700 nxënës dhe studentë në fushat e sigurisë kibernetike, cloud-it dhe analizës së të dhënave me inteligjencë artificiale, zhvillimit të softuerit, teknologjisë së qumështit dhe trajnerisë sportive. “Pas katër thirrjeve, RCF në Kosovë numëron 21 projekte me investime prej pothuajse 9,8 milionë euro. Pas këtyre shifrave qëndron një përpjekje e përbashkët: 73 kompani partnere, të cilat së bashku me shkollat kanë hartuar 28 programe inovative të aftësimit në bashkëpunim, për rreth 3.000 nxënës dhe studentë. Institucionet dhe partnerët e tyre kanë kontribuar me 3,7 milionë euro nga burimet e veta, duke e çuar investimin e përgjithshëm në rreth 13,5 milionë euro,” tha z. Vasili. Së bashku me Fondin e Sfidave të Kosovës (KCF), deri më tani janë mbështetur 33 projekte në Kosovë, me rreth 14,9 milionë euro grante. Z. Vasili falënderoi Qeverinë Gjermane, përmes BMZ-së dhe KfW-së, si dhe Qeverine Zvicrane, përmes SDC-së, për mbështetjen e tyre. Ai falënderoi gjithashtu Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Odën Ekonomike të Kosovës, përmes Forumit të Investimeve të Dhomave të Tregtisë të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF), për partneritetin e tyre. Duke iu drejtuar konsorciumeve fituese, ai tha: “Ju premtojmë se do të jemi pranë jush në çdo hap të zbatimit. Ju kërkojmë vetëm një gjë: t’i shndërroni këto investime në vende pune dhe karriera premtuese për të rinjtë.” info@rcf-wb6.org www.rcf-wb6.org
Partneri kryesor i zbatimit të projektit është Forumi i Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor 6 (CIF-WB6), një nismë e odave të tregtisë nga rajoni. Kosova përfaqësohet në CIF-WB6 nga Oda Ekonomike e Kosovës, një nga partnerët e rëndësishëm të projektit.
Z. Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, deklaroi: “RCF-ja ka sjellë një qasje konkrete, duke e përafruar AAP-në me nevojat reale të bizneseve dhe duke e bërë sektorin privat pjesëmarrës aktiv në zhvillimin e aftësive. Kjo përbën një ndryshim të rëndësishëm: AAP-ja duhet të funksionojë në bashkëpunim të ngushtë me ekonominë dhe bizneset, e jo e izoluar prej tyre. RCF-ja nuk është thjesht një mekanizëm financimi; ajo është një instrument që po ndryshon mënyrën se si bashkëpunojnë arsimi dhe ekonomia jonë. Prandaj, Oda Ekonomike e Kosovës dhe CIF-WB6 e mbështesin plotësisht vazhdimin dhe fuqizimin e kësaj nisme. Një zhvillim veçanërisht inkurajues është perspektiva e mbështetjes për krijimin e një qendre rajonale të AAP-së në Ballkanin Perëndimor“.
Z. Hajrulla Çeku, Ministër i Arsimit dhe Shkencës, përgëzoi pesë konsorciumet fituese të Thirrjes së Katërt të RCFsë për arritjet e tyre. “Jemi të përkushtuar për të ndërtuar një sistem arsimor që u përgjigjet më mirë nevojave të të rinjve, tregut të punës dhe zhvillimit të vendit. Për këtë qëllim, kemi nisur punën për Strategjinë Shtetërore të Arsimit 2035+, e cila do të përcaktojë drejtimin e reformave gjatë dekadës së ardhshme. AAP-ja zë një vend të rëndësishëm në këtë proces të planifikimit strategjik. Synojmë që arsimin profesional ta bëjmë një mundësi tërheqëse për të rinjtë, duke u mundësuar atyre të fitojnë shkathtësi, të sigurojnë profesione dhe të ndërtojnë një të ardhme të begatë në Kosovë. RCF-ja është një shembull i shkëlqyer i këtij bashkëpunimi: investimet e mbështetura përmes këtij fondi e fuqizojnë drejtpërdrejt arsimin profesional dhe krijojnë mundësi të reja për të rinjtë tanë,” theksoi më tej. Ministri shprehu mirënjohjen për Qeverinë Gjermane dhe Qeverinë Zvicrane për mbështetjen e tyre te vazhdueshme të ofruar në Kosovë.
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Rainer Rudolph, duke uruar konsorciumet fituese, deklaroi “besoj se për Kosovën, investimi në AAP është parakusht për rritje të qëndrueshme. Sipas vetë përkufizimit, aftësimi profesional duhet të jetë ngushtë i lidhur me nevojat konkrete të kompanive. Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet institucioneve të aftësimit dhe kompanive është një mënyrë e shkëlqyer për ta ngushtuar gradualisht hendekun që ende ekziston ndërmjet aftësimit profesional dhe kërkesave reale të bizneseve për shkathtësi”. Tani, falë fondeve dhe mbështetjes teknike të ofruar nga RCF-ja, konsorciumet do të mund të aftësojnë teknikë në sektorë të ekonomisë që po rriten me shpejtësi, si TIK-u, siguria kibernetike, përpunimi i ushqimit dhe menaxhimi sportiv. Gjithashtu, konsorciumet do t’u ofrojnë të diplomuarve perspektiva të qarta për të gjetur në Kosovë punësim që përputhet me kualifikimet e tyre dhe paguhet mirë. Deri më tani, RCF ka qenë një sukses i madh dhe rezultat i përpjekjeve të përbashkëta“, përfundoi ambasadori gjerman.
Qeveria zvicerane, përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) tregoi interes për bashkëfinancimin e RCF-së dhe kështu kontribuoj me rreth 10 milionë euro për financimin e projekteve të trajnimit bashkëpunues në rajon.
Ambasadorja e Zvicrës znj. Anne Lise Cattin Hennin, theksoi „për Zvicrën, AAP është gurthemeli i suksesit tonë ekonomik. Një nga pikat e forta të sistemit dual është roli aktiv që luajnë kompanitë në aftësimin e gjeneratës së ardhshme të punëtorëve të kualifikuar. Praktikantët kalojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës duke u aftësuar në kompani, ku ndërthurin përvojën praktike me mësimin në klasë. Kjo krijon një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet arsimit dhe tregut të punës dhe pasqyron një parim të rëndësishëm: zhvillimi i aftësive është përgjegjësi e përbashkët e shtetit, ofruesve të arsimit dhe bizneseve. Zvicra e ka mbështetur AAP-në në Kosovë për shumë vite, përfshirë mësimin në vendin e punës, orientimin në karrierë dhe zgjidhjet e udhëhequra nga industria për të adresuar mungesën e shkathtësive. Zvicra mbetet e përkushtuar për të ndarë përvojën e saj dhe për të mbështetur konkurrueshmërinë ekonomike të Kosovës.
Le të investojmë te njerëzit e Kosovës, t’i përgatisim bizneset për të ardhmen dhe të ndërtojmë një ekonomi më të fortë. Urime për arritjet e RCF-së në Kosovë! info@rcf-wb6.org www.rcf-wb6.org Ceremonia e ndarjes së granteve mblodhi zyrtarë nga WB6 CIF, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ambasada Gjermane, Ambasada Zvicerane, KfW, SDC, Oda Ekonomike e Kosovës, Fondi Rajonal i Sfidave, Projektet e Donatorëve, organizatat partnere dhe konsorciumet fituese nga Kosoova, për të shënuar suksesin.
Për çdo pyetje të mëtejshme, mos hezitoni të kontaktoni përfaqësuesit, Vesa Shehu Hoxha vesa.shehu@rcfwb6.org dhe Renato Vasili, renato.vasili@rcf-wb6.org.
Fondi Rajonal i Sfidave (RCF) është një strukturë financimi e krijuar për të rritur konkurrencën e sipërmarrjeve në Ballkanin Perëndimor 6 duke financuar investime në pajisje dhe infrastrukturë për projekte të përzgjedhura të trajnimit bashkëpunues përmes partneriteteve midis institucioneve të aftësimit profesional dhe ndërmarrjeve. Grantet shpërndahen përmes një sfide rajonale konkurruese. Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) ka financuar 64.43 milion Euro per RCF, ndërsa Qeveria Zvicerane, e përfaqësuar nga Bashkëpunimi Zviceran për Zhvillim (SDC) ka bashkëfinancuar rreth 10 milionë EUR. Fondet i janë mandatuar Bankës Gjermane për Zhvillim KfW dhe zbatohen nga Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor 6 (WB6-CIF), një nismë e përbashkët e dhomave të tregtisë nga rajoni.




