Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, së bashku me drejtoreshën e Bujqësisë, Jeta Rafuna, kanë nënshkruar 12 kontrata me fermerët e Prishtinës për ndërtimin e serrave të pajisura me mekanizma të automatizuar.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, secila serrë do të ketë sipërfaqe prej pesë ari dhe do të jetë e pajisur me teknologji moderne, me qëllim të krijimit të kushteve më efikase për kultivimin e produkteve bujqësore.
Nga kjo drejtori bëhet e ditur se projekti synon modernizimin e bujqësisë, mbështetjen e fermerëve dhe rritjen e prodhimit vendor.
Në njoftim thuhet se bëhet fjalë për një iniciativë të tillë që po realizohet për herë të parë në Kosovë. /Telegrafi/




