Policia e Kosovës ka anuluar aktivitetin e prokurimit për furnizimin dhe montimin e gomave dimërore për automjetet zyrtare, një tender me vlerë të parashikuar mbi 400 mijë euro.

Sipas dokumentit të publikuar, njoftimi për anulimin e aktivitetit të prokurimit është përgatitur më 29 tetor 2026.
E deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka ngritur shqetësimin për përgjegjësinë e institucioneve në zbatimin e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, duke vënë në pikëpyetje gatishmërinë e institucioneve për sezonin dimëror.
Në një reagim publik, Musliu ka rikujtuar se nga 15 nëntori deri më 15 mars, të gjitha automjetet që marrin pjesë në trafik duhet të jenë të pajisura me pajisje dimërore, në përputhje me ligjin.
Shqetësimi i saj merr një dimension tjetër pas publikimit të dokumentit zyrtar që dëshmon se Policia e Kosovës ka anuluar aktivitetin e prokurimit për furnizimin dhe montimin e gomave dimërore, me vlerë të parashikuar mbi 400 mijë euro.
Musliu, në reagimin e saj, shtron pyetjen se si mund t’u kërkohet qytetarëve respektimi i ligjit, kur institucionet që duhet ta zbatojnë atë nuk arrijnë të sigurojnë as pajisjet bazike për automjetet e tyre.
“Kush mban përgjegjësi për këtë dështim? Kush do të garantojë që automjetet e Policisë do të jenë të gatshme për dimër?” – është thelbi i shqetësimit të ngritur nga deputetja.
Anulimi i tenderit ngre pikëpyetje për arsyet e këtij vendimi, hapat që do të ndërmerren për të siguruar gomat dimërore dhe gatishmërinë e automjeteve policore për sezonin e ftohtë. /Telegrafi/




