Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, është arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana.
Sipas tij, një grua ka raportuar se për një periudhë të vazhdueshme ka përjetuar dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, me të cilin nuk jeton prej disa muajsh.
“Është raportuar se viktima femër kosovare, në vazhdimësi ka pasur dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar, me të cilin nuk bashkëjeton që disa muaj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka deklaruar Pllana për Telegrafin.
Ndërkaq, sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, Berisha dyshohet se e ka kërcënuar bashkëshorten duke i thënë se do t’i ndodhë e njëjta gjë si Arlinda Zekajt.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026, ndërsa për rastin dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Para vrasjes, ajo kishte raportuar ish-bashkëshortin, Jeton Sylaj, për dhunë në familje. /Telegrafi/




