Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri gjatë kontrollit të një automjeti në Suharekë.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur në një pikë kontrolli, ku gjatë verifikimit të dokumentacionit të automjetit, zyrtarët policorë kanë vërejtur një pistoletë në kroskotin e veturës.
Arma ishte e mbushur me një krehër me katër fishekë.
Në momentin e kontrollit, personi që drejtonte automjetin nuk posedonte leje për mbajtjen e kësaj arme. Më vonë, në stacionin policor është paraqitur edhe pronari i armës, i cili kishte leje përkatëse për të.
Megjithatë, me vendim të prokurorit, duke marrë parasysh se në momentin e ndalimit arma ishte gjetur në posedim të personit të dyshuar, ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.
Pas intervistimit, i dyshuari A.M., 26-vjeçar, është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma është sekuestruar përkohësisht, thuhet në njoftimin e Policisë.
Burimi: Insajderi




