Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te të gjithë shoferët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit rrugor, pas reshjeve të para të borës në Brezovicë, Prevallë, Jezerc dhe zona të tjera malore të rajonit të Ferizajt.

Përmes një njoftimi, policia ka paralajmëruar për mundësinë e krijimit të ngricave dhe rrëshqitjes në rrugë, duke kërkuar nga shoferët që të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës, transmeton Klankosova.tv.
Po ashtu, rekomandohet mbajtja e distancës së sigurt ndërmjet automjeteve dhe shmangia e frenimeve të menjëhershme.
Policia ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve në rajonin e Ferizajt.
Në njoftim, qytetarëve u është rikujtuar gjithashtu se nga 15 nëntori deri më 15 mars, gomat dhe pajisjet dimërore janë të obligueshme për të gjitha mjetet.
Policia u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme rrugore./Klankosova.tv





