Një zyrtar policor ka harruar armën zyrtare në një pompë të derivateve në Shkabaj, ndërsa arma më pas është marrë nga një person tjetër.

Rasti ka ndodhur më 23 nëntor, rreth orës 16:30, në pompën e derivateve.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, zyrtari policor ka raportuar se e kishte harruar armën në këtë pompë dhe se dikush e kishte marrë atë.
Pas shqyrtimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, Policia ka arritur ta identifikojë personin që e kishte marrë armën.
“I njëjti është ftuar nga Policia dhe e ka pranuar se e kishte marrë armën me qëllim që ta raportonte më pas”, thuhet në raportin policor.
Arma është sekuestruar, ndërsa me udhëzim të prokurorit rasti është iniciuar si “vjedhje e rëndë” dhe do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Burimi: Insajderi





