Sindikata e Policisë së Kosovës ka organizuar sot, më 23 tetor, Lojërat Sportive Tradicionale në Qendrën Sportive “Shani Nushi” në Gjakovë, në nderim dhe përkujtim të zyrtarëve policorë që kanë rënë në krye të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të Sindikatës, në ceremoninë e hapjes së aktivitetit pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve vendore, stafi menaxhues i Policisë së Kosovës, familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës, si dhe përfaqësues të sindikatave policore nga rajoni dhe më gjerë.
Në kuadër të këtij aktiviteti, ekipe të ndryshme sportive do të garojnë në disiplinat e parapara, duke e shndërruar këtë organizim në një mundësi për të nderuar kujtimin e zyrtarëve policorë që humbën jetën gjatë shërbimit ndaj vendit.
Sindikata e Policisë së Kosovës ka ftuar edhe përfaqësuesit e mediave që ta përcjellin këtë aktivitet, i cili synon të ruajë kujtimin dhe të nderojë sakrificën e policëve të rënë në krye të detyrës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




