Mauricio Pochettino pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme te Manchester United, menjëherë pas marrjes së drejtimit të skuadrës, ndërsa një prej vendimeve të tij të para lidhet me mënyrën e përgatitjes fizike të futbollistëve.

Trajneri argjentinas, i cili u emërua në vend të Michael Carrick, synon të ndryshojë disa prej zakoneve të krijuara në klub, duke vendosur kërkesa më të mëdha sa i përket përgatitjes dhe rikuperimit të lojtarëve.
Sipas raportimeve të The Sun, Pochettino ka përgatitur edhe stafin e tij teknik për aventurën në ‘Old Trafford’. Në mesin e njerëzve që do ta shoqërojnë është edhe djali i tij, Sebastiano Pochettino, i cili më parë kishte punuar si trajner i përgatitjes fizike te kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë periudhës së Carrick, Manchester United nuk kishte një specialist të përgatitjes fizike të zgjedhur nga vetë trajneri. Në vend të kësaj, klubi vazhdoi të punonte me Charlie Owen, i cili e mban këtë pozitë që nga viti 2019, kur ishte promovuar nga brenda klubit gjatë periudhës së Ole Gunnar Solskjaer.
Sipas The Sun, seancat stërvitore të Owenit ishin miratuar edhe nga Mitchell Van der Gaag, ish-ndihmësi i Erik Ten Hagut, si dhe nga vetë futbollistët.
Megjithatë, statistikat e Manchester Unitedit këtë sezon kanë nxjerrë në pah probleme në aspektin fizik. Skuadra renditet e 19-ta në Ligën Premier për distancën totale të përshkuar, e 17-ta për distancën e vrapimit me shpejtësi të lartë dhe sërish e 19-ta për shpejtësinë mesatare maksimale.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që pritet të bëjë Pochettino lidhet me seancat e rikuperimit pas ndeshjeve. Argjentinasi dëshiron që futbollistët të paraqiten në qendrën stërvitore Carrington edhe një ditë pas ndeshjeve, për të zhvilluar ushtrime rikuperimi.
Kjo do të ishte një ndryshim nga praktika e Carrick, i cili, sipas raportimit, u jepte lojtarëve pushim të plotë ditën pas ndeshjes.
Pochettino pritet të ketë një sfidë të madhe që në debutimin e tij, pasi Manchester United do të përballet me rivalin e përbetuar Liverpoolin. Përgatitjet e tij për këtë takim do të jenë edhe më të komplikuara, pasi ai do të vazhdojë angazhimet me SHBA-të gjatë javës para ndeshjes.
Ndryshe nga Carrick, Pochettino do të ketë në dispozicion një specialist të përgatitjes fizike të përfshirë drejtpërdrejt në projektin e tij, ndërsa synon të rrisë intensitetin dhe standardet fizike të skuadrës në ‘Old Trafford’./Telegrafi/





