Një i ri shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik në vendin e punës në Valtopina të Italisë. Rogert Ajdini, 20 vjeç, banues në Trevi, u përfshi në një aksident gjatë punimeve për asfaltimin e një rruge.

Sipas Top Channel, ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në rrugën Santa Cristina, ku i riu ishte duke punuar së bashku me punonjës të tjerë. Sipas informacioneve paraprake të mediave italiane, mjeti rrafshues i asfaltit që ai po drejtonte është përmbysur, duke e zënë poshtë të riun.
Kolegët e tij kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës, por plagët e marra kanë qenë tepër të rënda dhe pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, ai nuk ka mundur të mbijetojë.
Në vendin e aksidentit mbërritën personeli mjekësor i urgjencës 118 dhe zjarrfikësit. Për ndërhyrje u aktivizua edhe helikopteri i emergjencës Nibbio, i cili u nis nga Foligno.
Në zonë mbërritën gjithashtu karabinierët, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Shkaqet që çuan në përmbysjen e mjetit dhe mënyra se si i riu u zu poshtë tij janë ende nën hetim.
Punimet po kryheshin në rrugën Santa Cristina, e cila lidh zonën e impianteve sportive me kodrat përreth. Bashkia e Valtopinës kishte vendosur të ndërhynte për përmirësimin e rrugës, pjesa më e madhe e së cilës ishte ende e paasfaltuar.
Lajmi për vdekjen e të riut ka tronditur komunitetin e Valtopinës. Kryetari i bashkisë, Gabriele Coccia, i cili ndodhej jashtë qytetit për arsye pune, vendosi të kthehej menjëherë pas marrjes së lajmit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai shprehu dhimbjen për humbjen e jetës së të riut dhe ngushëllimet për familjen.
“Administrata bashkiake shpreh dhimbjen e saj të thellë për humbjen tragjike”, thuhet në reagimin e publikuar pas aksidentit.




